Një gjyshe peshkatare në Sarandë: Suzana që sfidon burrat me grep në dorë

Një gjyshe peshkatare në Sarandë: Suzana që sfidon burrat me grep në dorë

Në pedonalen e Sarandës, mes qetësisë së detit dhe gjallërisë së kalimtarëve, një pamje e veçantë të bie në sy: Suzana Terolli, një gjyshe dy herë, që me durim dhe pasion ushtron artin e peshkimit me grep.
E rrethuar nga burrat peshkatarë dhe turistët kureshtarë, Suzana ka më shumë se 10 vjet që ka bërë të sajin këtë “sport burrash”, duke sfiduar me natyralitet çdo paragjykim.

“Peshkimi është gjëja më antistres që çlodh mendjen dhe shpirtin,” thotë ajo, pa e shkëputur vëmendjen nga filli që zhytet në thellësitë e detit. Njohuritë e saj për llojet e grepave, trashësinë e fillove dhe çfarë pëlqejnë peshqit e oktapodët, e bëjnë të flasë si një eksperte e vërtetë.

Në intervistën për Blu Televizion, Suzana tregon se dikur, kur nisi këtë pasion, i vinte pak rëndë nga komentet që e shihnin si një “sport burrash”. Sot, me nipër e mbesa në krah, e shijon plot krenari këtë hobi që i dhuron adrenalinë, shëndet dhe mbi të gjitha, peshk të freskët.

Duke pritur me durim se kur peshku do të kapet në grep, Suzana ndan mendime edhe për realitetin e përditshëm.

Në moshën 64-vjeçare, ajo është shembulli i gjallë i optimizmit, forcës dhe dashurisë për jetën. Me Agronin, bashkëshortin e saj gjithmonë pranë, Suzana vazhdon ta gjejë lumturinë e përditshme buzë detit të Sarandës e të Ksamilit, duke hedhur e mbledhur fillon e saj me një buzëqeshje që nuk i zbehet kurrë.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-