Pas publikimit të ngjarjes së rëndë në familjen Meta në lagjen Sheqishte të Fierit, ku një 12-vjeçare denoncoi në polici abuzimin seksual nga babai i saj, Bashkia Fier ka reaguar menjëherë duke ofruar ndihmë të menjëhershme për nënën dhe 6 fëmijët e tjerë të familjes.
Në një njoftim zyrtar, Bashkia bën me dije se është vendosur:
Ndihmë financiare në masën 2 milionë lekë të vjetra,
Akordimi i një bonusi qiraje, me mundësinë që nëna të zgjedhë vetë banesën ndërsa pagesa do të mbulohet nga bashkia,
Mundësi punësimi për nënën në një nga ndërmarrjet publike të bashkisë.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik. Sipas burimeve zyrtare, denoncimi është bërë nga vetë vajza, pasi u shoqërua në komisariat nga policia, pas një telefonate alarmuese nga fqinjët. Në prani të një psikologeje, 12-vjeçarja ka deklaruar se është abuzuar seksualisht nga babai i saj, jo vetëm në banesën në Sheqishte, por edhe më herët, që në moshën 5-vjeçare, përfshirë periudhën kur familja ndodhej në Gjermani.
Babai, 36-vjeçari Zamir Meta, ka pranuar aktin, por ka pretenduar se ka ndodhur vetëm një herë. Aktualisht ai ndodhet në pranga, ndërsa vajza është transferuar në Qendrën Rehabilituese “Lilium” në Tiranë, ku po merr trajtimin dhe kujdesin e nevojshëm psikologjik e social.
Bashkia Fier ka shprehur gatishmërinë për të ndjekur nga afër situatën dhe për të garantuar mbrojtjen dhe mirëqenien e pjesës tjetër të familjes.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente