Reflektim nga Dea Hasanaj
Ka ndjesi që nuk arrij ta shpjegojë lehtë. Është çasti papritur kur zemra, dje e përflakur nga kujdesi, nga falja, nga një ngrohtësi që dukej e pashtershme, të nesërmen zgjohet e ftohtë, si të ishte mbeshtjelle nga një akullnajë. Një ditë mund të duash me gjithë qenien, edhe kur plagët janë ende të freskëta, edhe kur dhimbja është e pranishme,por ditën tjetër, e njëjta fytyrë që dje e lartësoje, sot bëhet e huaj ,te pakten per mua eshte keshtu . Nga flaka mbetet vetëm hi. Nga butësia, vetëm akull.
Ky kalim i beftë nga zjarr në akull nuk është thjesht tekë humori. Është një mister i shpirtit njerëzor që filozofia dhe psikologjia kanë tentuar ta deshifrojnë. Ai është një proces mbrojtjeje, një kthesë ekzistenciale, një mënyrë për të shpëtuar veten nga nënshtrimi.
Friedrich Nietzsche e pa dashurinë si një lojë të forcës. Sipas tij, çdo ndjenjë e thellë mban brenda një dëshirë për zotërim. Kush do, kërkon të zotërojë,kush pranon të duhet, pranon edhe të dorëzohet. Edhe butësia më e madhe fsheh një pikë mizorie, sepse aty ku ndiejmë më shumë, aty edhe duam më shumë të zotërojmë.
Por ç’ndodh kur ekuilibri i kësaj loje prishet? Kur dashuria bëhet e dhimbshme, kur pushteti anon vetëm nga një anë? Nietzsche thotë se lind momenti i akullit: një çast rimarrjeje fuqie, një kthesë ku shpirti thotë “Mjaft”. Aty ku dje ishe rob i pasionit, sot bëhesh zot i vetes. Dhe ky ftohje e menjëhershme nuk është boshllëk, por akt i fuqishëm vetëruajtjeje.
Por Kierkegaard, filozofi i ankthit, do ta shihte ndryshe. Për të, dashuria nuk ndjek logjikën, ajo është një pasion irracional, një rrezik i pashmangshëm që hedh shpirtin në ekstreme. Kalimi nga flaka në akull nuk është një “vendim”, por pasojë e natyrës paradoksale të dashurisë.
Ajo është një gjendje që sjell ankth dhe ekstazë në të njëjtën kohë. Dhe kur zemra ngrin papritur, Kierkegaard do të thoshte se kjo është thjesht mënyra e dashurisë për të shuar vetveten, ose për ta ngritur shpirtin në një nivel më të lartë kuptimi. Dashuria, si pasion irracional, nuk ka gjysma: ose digjet deri në fund, ose shuhet .
Simone de Beauvoir, me syrin e saj feminist e ekzistencial, e lexon këtë ftohje si shpërthim të vetëdijes për lirinë. Shpesh, në dashuri, ne e bëjmë tjetrin qendër të universit tonë, duke harruar që jemi qenie të lira. Ne e humbasim veten, e shpërfillim, derisa një ditë ndjenja e varësisë bëhet e padurueshme. Dhe atëherë vjen akulli: jo si mungesë ndjenje, por si rikthim tek vetja.
Për de Beauvoir, dashuria e vërtetë nuk është zhdukja e vetes në tjetrin, por takimi i dy qenieve të lira. Kështu, akulli nuk është tradhti ndaj dashurisë, por shpëtim nga një formë dashurie që kishte kaluar në skllavëri.
Ajo që ndodh brenda teje, ai kalim i beftë nga kujdesi i pafund tek ftohtësia e papritur, nuk është dobësi. Është një mekanizëm i thellë i shpirtit, një mënyrë për të thënë: “Nuk dua të jem më rob i kësaj dhimbjeje.”
Nietzsche do ta quante rimarrje pushteti. Kierkegaard do ta shihte si paradoksin irracional të dashurisë. De Beauvoir do ta lexonte si çastin kur shpërthen ndërgjegjësimi për lirinë.
Në të gjitha rastet, akulli nuk është fundi i dashurisë, por transformim i saj. Është rikthim tek vetja. Është kujtesa se njeriu mund të dojë fort, të digjet deri në hi, por gjithmonë ka brenda vetes fuqinë për t’u ngrirë, për t’u çliruar, për të shpëtuar shpirtin e tij.
Mbase ky kalim nga zjarr në akull është dhimbje dhe njëkohësisht shpëtimi më i madh . Sepse dashuria, në të gjitha format e saj, na zhyt në një betejë mes forcës dhe lirisë, mes pasionit dhe ankthit, mes dorëzimit dhe rimarrjes së vetes.
Në fund, akulli është thjesht një mënyrë që zemra ka për të mbijetuar. Dhe nëse mësimi i dashurisë është të themi një “Po” të madhe jetës, atëherë mësimi i akullit është të themi “Jo” në që na shpëton nga humbja e vetvetes.
Dea Hasanaj është Drejtore e Burimeve Njerëzore, Administratës dhe Programacionit në Blu TV. Me formim juridik, ajo koordinon funksionimin organizativ të televizionit, menaxhon stafin dhe siguron zbatimin e standardeve editoriale.
Përveç detyrës drejtuese, Dea është edhe autore dhe shkrimtare opinioni, e njohur për analizat e saj mbi çështje sociale, kulturore dhe mediatike.
Ajo përfaqëson institucionin pranë palëve të treta, dhe kujdeset për ecurinë e bashkëpunimit të brendshëm.
Roli i saj është thelbësor për funksionimin efikas dhe identitetin editorial të Blu TV
Komente