Shërbimi i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale në vend kalon zyrtarisht nën menaxhimin e shtetit. Me vendim të qeverisë, për administrimin e këtij shërbimi do të ngrihet një shoqëri aksionare me kapital 100% shtetëror, e quajtur Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit (OSHIS).
Kapitali fillestar për krijimin e shoqërisë është 200 milionë lekë, të financuara nga buxheti i vitit 2026 i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Këto fonde synojnë të garantojnë nisjen e menjëhershme të veprimtarisë dhe konsolidimin e kapaciteteve operacionale.
OSHIS do të ofrojë shërbime kundrejt pagesës për të gjitha spitalet publike universitare, rajonale dhe bashkiake në Republikën e Shqipërisë. Paralelisht, operatori shtetëror do të ketë mundësi të ofrojë shërbime shtesë edhe për subjekte private, duke zgjeruar gamën e aktivitetit dhe burimet e të ardhurave.
Të ardhurat e arkëtuara do të përdoren nga vetë shoqëria për mbulimin e kostove dhe zhvillimin e mëtejshëm të shërbimit. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale do t’i sigurojë OSHIS mjediset e punës të nevojshme për fillimin e ushtrimit të veprimtarisë.
Operatori Kombëtar i Sterilizimit do të ofrojë, kundrejt pagesës, një sërë shërbimesh të specializuara, përfshirë:
sete të personalizuara të instrumenteve kirurgjikale sterile;
furnizimin me materiale mjekësore sterile njëpërdorimëshe për sallat kirurgjikale;
menaxhimin dhe administrimin e Stacionit Qendror të Sterilizimit në QSUT;
ofrimin e instrumenteve kirurgjikale sipas tipologjisë së ndërhyrjes, të paketuara në sete individuale për çdo pacient;
menaxhimin e cikleve të ripërpunimit dhe sterilizimit të instrumenteve;
furnizimin me veshje sterile për sallat e operacionit.
Kalimi i shërbimit në administrim shtetëror shënon fundin e një kontrate koncesionare të firmosur në dhjetor 2015. Ajo ishte një marrëveshje PPP 10-vjeçare me kompaninë “Sani Service” për sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale në spitalet publike, me një vlerë totale prej 100 milionë eurosh.
Komente