Nga debatet e vogla tek krimet e rënda: Si po rritet dhuna mes adoleshentëve në Shqipëri

Nga debatet e vogla tek krimet e rënda: Si po rritet dhuna mes adoleshentëve në Shqipëri

Shqipëria po përballet me rritjen e dhunës mes adoleshentëve, ku konflikte të nisura për arsye të vogla po shndërrohen në përplasje të rënda, shpesh me pasoja fatale. Armë e zakonshme e këtyre ngjarjeve mbetet thika.

Më 12 dhjetor 2025, pranë shkollës “Shejnaze Juka” në Shkodër, dy të rinj u plagosën me mjet prerës pas një sherri mes bashkëmoshatarëve. Vetëm pak javë më parë, në Durrës, 15-vjeçari Erjon Boba humbi jetën pas plagosjes me thikë nga një 14-vjeçar.

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani në Tiranë më 2024, pas një konflikti që nisi në rrjetet sociale, riktheu në vëmendje mungesën e sigurisë në shkolla. Autori i ngjarjes u dënua me 16 vite burg. Në të njëjtin vit, pranë shkollës “Kolë Jakova”, një tjetër nxënës 14-vjeçar u plagos me thikë gjatë një debati.

Gramshi përjetoi një ngjarje të rëndë në vitin 2023, kur 15-vjeçari Fatjon Bici u vra me thikë në lulishten e qytetit, ndërsa ndërhynte për të ndarë një konflikt. Hetimet zbuluan se përplasja kishte nisur disa ditë më parë në rrjetet sociale.

Ngjarje të tjera të ngjashme janë regjistruar në Tiranë, Korçë dhe qytete të tjera, ku nxënës të moshave 13–16 vjeç janë përfshirë në plagosje me mjete të ftohta.

Avokati Alban Duraj, i cili ka përfaqësuar disa prej këtyre rasteve, shprehet se fenomeni po bëhet kompleks dhe jo më i rastësishëm. Sipas tij, përtej ligjit, mungon zbatimi. Ai thekson se struktura të rëndësishme si mbështetja psikologjike dhe shërbimet sociale janë të dobëta, ndërsa autorët e mitur shpesh ekspozohen publikisht në media, në kundërshtim me ligjin.

Kodi Penal parashikon përgjegjësi nga mosha 14 vjeç, dhe ligjet për drejtësinë e të miturve kërkojnë trajtim rehabilitues. Por sipas ekspertëve, bashkëpunimi mes shkollave, familjeve dhe institucioneve është i dobët, ndërsa sistemi i drejtësisë ka mungesa kapacitetesh.

Studimet tregojnë se bullizmi, presioni shoqëror dhe konfliktet online janë ndër shkaqet kryesore të sjelljeve agresive.

Ekspertët kërkojnë krijimin e qendrave të ndërhyrjes së hershme, edukim social të detyrueshëm, mbështetje për prindërit dhe rritje të rolit të psikologëve në shkolla.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-