Qeveria shqiptare ka miratuar një vendim të posaçëm që i jep qytetit të Konispolit statusin e Ansamblit Arkitektonik Urban, duke njohur kështu vlerat unike historike, kulturore dhe arkitektonike të këtij vendbanimi të rrallë në skajin jugor të Shqipërisë.
Rrugicat me kalldrëm, banesat karakteristike me stil të veçantë, toponimet e lashta dhe trashëgimia shpirtërore, e bëjnë Konispolin jo thjesht një destinacion turistik, por një pasuri kombëtare që kërkon mbrojtje dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Sipas arkeologut dhe studiuesit të krahinës, Halil Shabani, ky status nuk është thjesht një nderim simbolik, por një mundësi konkrete për të restauruar dhe promovuar trashëgiminë që Konispoli mban në çdo cep të tij.
Nga ana tjetër, ish-kryetari i Këshillit Bashkiak, Shkëlqim Shero, shpreh shqetësimin për mungesën e promovimit të qytetit, që sipas tij ka çuar në degradimin e 50 banesave monument kulture të kategorisë së parë dhe të dytë.
Por Konispoli nuk është vetëm qyteti i mandarinave. Është edhe qendra e traditës çame, ku sipas Vangjel Taho, përgjegjës i kulturës në Bashki, të rinjtë mësojnë me pasion vallet tradicionale. Ai veçon vallen e Osman Takës, e cila u interpretoa me sukses nga djemtë konispolatë në skenën ndërkombëtare të Portos në Portugali, ku u rikthyen me trofe.
Kuzhina tradicionale çame, një tjetër element i identitetit të këtij qyteti, vijon të ruhet me përkushtim nga amvisat vendase. Katerina Tatari ndan përvojën e trashëgimisë që gatuan çdo ditë në tryezën konispolate.
Ndërsa Sanije Karaj, një vizitore që ka ardhur nga Tirana, tregon se u rikthye në Konispol për mallin, kujtimet dhe ndjesinë e veçantë që sjell ky vend. I shoqi i saj ka shërbyer si ushtar dikur në kufirin e Qafë-Botës, një simbol i ndarjes mes dy botëve gjatë regjimit komunist.
Konispoli ka qenë dhe mbetet një vatër patriotizmi, rezistence dhe kulture. Me statusin e ri, hapet një faqe e re për qytetin, ku historia nuk mbetet në gurë, por bëhet frymë që udhëheq të ardhmen – përmes restaurimit, turizmit kulturor dhe krenarisë për rrënjët.
Komente