Zbardhet përgjimi i punonjëses së Komisionit të Prokurimeve Publike, Lindita Skeja, e cila implikon drejtuesin e këtij institucioni, Jonaid Myzyri, në aferën e tenderit prej 2.3 milionë eurosh për mirëmbajtjen e rrugës 58.7 km: “Rrëshen (Ura e Fanit) – Shpal, Shpal – Ura e Repsit”.
Hetimi nisi pas dyshimeve se Myzyri kishte diktuar veprimet e anëtarëve të tjerë të KPP-së në rastet e shqyrtimit të ankesave ndaj procedurave të prokurimit.
Disa muaj pasi u pyet si person nën hetim, më 24 qershor SPAK e mori zyrtarisht të pandehur Jonaid Myzyrin.
Sipas dosjes hetimore, një rol kyç në ngritjen e akuzave ndaj tij ka pasur përgjimi i një bisede telefonike të punonjëses Lindita Skeja, e cila implikon drejtpërdrejt titullarin në procedura të dyshuara abuzive. SPAK konstaton se komunikimet e përgjuara lidhen me akuzat që rëndojnë mbi Myzyrin, i pezulluar nga detyra dhe me masë “detyrim paraqitje” nga GJKKO.
Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar detaje nga dosja hetimore. Në një bisedë të përgjuar, punonjësja Skeja i ankohet një bashkëbiseduesi se kishte firmosur dokumentet siç i ishte kërkuar nga Myzyri, ndërsa tani i duhet të japë llogari. Në një moment të bisedës, ajo thotë:
“Punonjësit firmosin letrat, ndërsa lekët i marrin të tjerët. Vajta i shërbeva si qeni. I shërbeva me sy mbyllur. E dua kështu... firmosim ne, të gjithë si delet. Vemi ku na thërrasin. Rresht. Firmën ne, e lekët ata.”
Përgjimi i SPAK
Lindita Skeja:
“Ai na mbajti kështu... që të krijonim besim se jemi miqtë e tij... dhe të rrinim të qetë. Na ofroi, mori informacione. Unë vajta dhe i shërbeva si qeni.”
Bashkëbiseduesi:
“Hej Zot!”
Skeja:
“Vajta i shërbeva si qeni. I shërbeva me sy mbyllur... e dua edhe pikë. E dua kështu... firmosim ne, të gjithë si delet. Vemi ku na thërrasin. Rresht. Firmën ne, e lekët ata.”
Bashkëbiseduesi:
“A mos i hëngërt Zoti!”
Skeja:
“Bëjmë, se e dini ju çfarë ju bëj unë… bëjmë… Më pas…”
“Ata hop mbrapa... hop mbrapa... hop mbrapa – më çoi mua në KPP, përballem atje me lloj-lloj pislliku.”
Bashkëbiseduesi:
“Pije hic! Edhe Dashi i tha motrës: Mos shko.”
Në dosjen hetimore, Prokuroria e Posaçme thekson:
“Nga përgjimet ngrihen dyshime të arsyeshme se në vendimmarrjen e KPP-së për shqyrtimin e ankesës me objekt: ‘Mirëmbajtje rutinë me performancë rruga Rrëshen (Ura e Fanit) – Shpal, Shpal–Q. Bene–Hadroj, Shpal – Ura e Repsit’, me fond limit 219.866.693 lekë pa TVSH, si dhe në vendimmarrje të tjera, ekzistojnë elementë të veprimeve të kundërligjshme që mund të kenë ndikuar në këto vendime.”
Në kërkesën drejtuar GJKKO-së për caktimin e masës ndaj Myzyrit, prokurori i SPAK, Elvin Gogaj, argumenton:
“Masa e sigurimit duhet të caktohet pasi ekziston rreziku i cenimit të provave, rreziku i arratisjes, si dhe ai i kryerjes së veprave të tjera penale nga i pandehuri Jonaid Myzyri. Ka dyshime të arsyeshme që ai mund të vërë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provave, duke ndërhyrë tek persona që kanë dijeni për veprën penale dhe që ende nuk janë marrë në pyetje, ndonëse hetimet janë në zhvillim.”
SPAK është gjithashtu duke hetuar procedurat e tenderëve përgjatë viteve 2020–2023, pasi dyshohet se shumë prej tyre janë zhvilluar pa garë reale. Në disa raste ka pasur vetëm një kompani pjesëmarrëse, ndërsa në raste të tjera, subjekte të kualifikuara janë skualifikuar në mënyrë të dyshimtë.
Jonaid Myzyri u emërua në krye të Komisionit të Prokurimit Publik në vitin 2020 për një mandat 5-vjeçar, me propozim të Këshillit të Ministrave dhe votim në Parlament.
Dea Hasanaj është Drejtore e Burimeve Njerëzore, Administratës dhe Programacionit në Blu TV. Me formim juridik, ajo koordinon funksionimin organizativ të televizionit, menaxhon stafin dhe siguron zbatimin e standardeve editoriale.
Përveç detyrës drejtuese, Dea është edhe autore dhe shkrimtare opinioni, e njohur për analizat e saj mbi çështje sociale, kulturore dhe mediatike.
Ajo përfaqëson institucionin pranë palëve të treta, dhe kujdeset për ecurinë e bashkëpunimit të brendshëm.
Roli i saj është thelbësor për funksionimin efikas dhe identitetin editorial të Blu TV
Komente