Ndotje në plazhin e Gjilekës, arrestohet inxhinieri i një objekti ndërtimi – Bllokohet hoteli dhe vilat përreth

Ndotje në plazhin e Gjilekës, arrestohet inxhinieri i një objekti ndërtimi – Bllokohet hoteli dhe vilat përreth

Një rast flagrant ndotjeje mjedisore është konstatuar në zonën turistike të Gjilekës, në Dhërmi, ku një subjekt ndërtues ka depozituar mbetje inerte ndërtimi në afërsi të vijës bregdetare, duke shkaktuar ndotje të plazhit. Si rezultat, është arrestuar inxhinieri zbatues i projektit, ndërsa objekti dhe vilat përreth janë bllokuar nga autoritetet.

Në kuadër të planit të masave për rendin dhe mbrojtjen e mjedisit në zonat turistike, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Agjencinë e Zhvillimit të Territorit (AZHT) dhe Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), kanë ushtruar kontroll në një kantier ndërtimi në Gjilekë, fshati Dhërmi, ku po ndërtohen objekte hotelerie dhe banimi.

Shkeljet e konstatuara:
Hedhje e mbetjeve inerte ndërtimi pranë objektit dhe në zonën bregdetare, duke ndotur ambientin;

Përdorim i objekteve banimi pa çertifikim, ku ishin strehuar banorë ndonëse punimet nuk ishin përfunduar dhe procedurat ligjore nuk ishin mbyllur.

Pas veprimeve hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Dh., 26 vjeç, me detyrë inxhinier zbatues, i dyshuar për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”.

Ndërkohë, IKMT ka hartuar një procesverbal për kundërvajtje administrative dhe ka vendosur bllokimin e objektit ndërtimor, deri në përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe eliminimin e shkeljeve.

Materialet procedurale janë referuar pranë Prokurorisë së Vlorës, për vijimin e hetimeve të mëtejshme.

Policia e Vlorës: Angazhim maksimal për mbrojtjen e mjedisit
Policia e Vlorës thekson se do të vijojë inspektimet në zonat turistike për të parandaluar ndotjen dhe veprimet e paligjshme që cënojnë territorin dhe burimet natyrore, sidomos gjatë sezonit veror.

Lajmi nga: Armand Xhelili
Media e dytë
Armand Xhelili

Armand Xhelili

Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.

Komente

-