Ndotje në bregdetin e Vlorës nga “Rrapi” tek vilat – Dyshohet për mbetje detergjentësh ose vajra kuzhine, pushuesit kërkojnë ndërhyrje urgjente

Ndotje në bregdetin e Vlorës nga “Rrapi” tek vilat – Dyshohet për mbetje detergjentësh ose vajra kuzhine, pushuesit kërkojnë ndërhyrje urgjente

VLORË – Një ndotje e dukshme është shfaqur që në orët e para të mëngjesit të së shtunës në një pjesë të vijës bregdetare të Vlorës, nga zona e njohur si “Rrapi” deri tek vilat buzë detit. Në sipërfaqen e ujit vërehet një shtresë e bardhë dhe vajore, që ka shqetësuar pushuesit dhe banorët e zonës.

Sipas dëshmive nga terreni, ndotja ngjan me detergjentë ose mbetje vajrash të përdorur, që dyshohet se janë hedhur në mënyrë të pakontrolluar nga subjekte private, si restorante apo njësi akomoduese në zonë.

“Pamja e ujit është e turbullt, me njolla të bardha dhe të yndyrshme. Është e pamundur të futesh në det në këtë gjendje”, – thotë një prej pushuesve.

Banorët deklarojnë se ky nuk është një fenomen i panjohur, por kësaj here ndotja është më e përhapur dhe më shqetësuese. Deri në orët e pasdites nuk ka patur asnjë reagim zyrtar nga autoritetet vendore apo Inspektorati i Mjedisit.

Kërkohet reagim i menjëhershëm dhe hetim
Pushuesit dhe banorët i bëjnë thirrje institucioneve që të ndërhyjnë me urgjencë, të verifikojnë burimin e ndotjes dhe, nëse konfirmohet përfshirja e subjekteve private, të merren masa administrative apo penale.

Vija bregdetare e Vlorës është një nga asetet më të rëndësishme të turizmit shqiptar. Çdo rast i tillë ndotjeje dëmton imazhin e qytetit dhe ndikon negativisht në ekonominë lokale, që mbështetet kryesisht tek turizmi në sezonin veror.

Blu TV do të ndjekë nga afër zhvillimet dhe do të përcjellë reagimet zyrtare, nëse do të ketë.

Lajmi nga: Elton Nika
Elton Nika

Elton Nika

Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.

Komente

-