Një ngjarje e ngjashme me skenat e filmave policorë ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në qytetin e Igumenicës ku një automjet me targa bullgare i cili transportonte shtatë emigrantë të paligjshëm është përfshirë në një ndjekje me policinë. Automjeti, i cili po tentonte të shmangte një kontroll policor ka dalë nga rruga dhe është përplasur me forcë në murin e stadiumit bashkiak duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Sipas burimeve lokale, fatmirësisht, asnjë nga pasagjerët nuk ka pësuar lëndime. Shoferi, i dyshuar për transportimin e emigrantëve ka braktisur mjetin pas aksidentit dhe është larguar në këmbë. Ai është shpallur në kërkim nga autoritetet greke.
Në këtë ngjarje, shtatë emigrantët janë arrestuar dhe janë vendosur në qendrën e ndalimit ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Njëkohësisht po shqyrtohet mundësia që ky aksident të jetë pjesë e një rrjeti të organizuar të trafikimit të emigrantëve.
Autoritetet greke po punojnë për identifikimin dhe kapjen e shoferit ndërsa hetimet janë në vazhdim për të zbardhur detaje të tjera të ngjarjes.
Komente