Ndahet nga jeta në moshën 97-vjeçare astronauti i Apollo 13, Jim Lovell

Ndahet nga jeta në moshën 97-vjeçare astronauti i Apollo 13, Jim Lovell

Astronauti legjendar amerikan, Jim Lovell, i njohur për udhëheqjen e misionit Apollo 13 drejt kthimit të sigurt në Tokë në vitin 1970, ka ndërruar jetë në moshën 97-vjeçare.

NASA e vlerësoi Lovell si njeriun që “e ktheu një tragjedi të mundshme në sukses”, pasi shpërthimi në bordin e anijes hapësinore detyroi anulimin e uljes në Hënë, ndërsa ajo ndodhej qindra mijëra kilometra larg Tokës.

Pamjet e rikthimit të tij dhe të dy astronautëve të tjerë në Oqeanin Paqësor u ndoqën nga dhjetëra miliona njerëz, duke u bërë një nga momentet më ikonike të historisë së eksplorimit hapësinor.

Lovell ishte gjithashtu pjesë e misionit Apollo 8 dhe mbeti njeriu i parë që udhëtoi dy herë drejt Hënës, por pa zbritur kurrë në sipërfaqen e saj. Ushtruesi i detyrës së kreut të NASA-s, Sean Duffy, tha se ai ndihmoi programin hapësinor të SHBA-së të “gdhendë një rrugë historike”.

Familja e Lovell u shpreh: “Do të na mungojë optimizmi i tij i palëkundur, humori dhe mënyra se si na bënte të ndiheshim se mund të bënim të pamundurën. Ishte vërtet unik.”

Edhe aktori Tom Hanks, që e interpretoi Lovell në filmin “Apollo 13” (1995), e përshkroi si një nga ata njerëz “që guxojnë, ëndërrojnë dhe udhëheqin të tjerët në vende ku vetë nuk do të shkonim kurrë”.

Nga ëndrra e fëmijërisë te hero kombëtar
Jim Lovell, i lindur më 25 mars 1928, u pasionua për avionët që në fëmijëri. Pasi humbi babain në një aksident automobilistik, ai u rrit nga e ëma që punonte pa pushim për të mbajtur familjen. Për shkak të vështirësive financiare, arsimin e lartë e siguroi falë programit të Marinës Amerikane, ku u trajnuar si pilot luftarak.

Pas diplomimit në Akademinë Detare të Annapolis në vitin 1952, ai u martua me dashurinë e tij të shkollës së mesme, Marilyn Gerlach, me të cilën jetoi mbi 70 vjet, deri në ndarjen e saj nga jeta në vitin 2023.

Pasioni për raketat e çoi në programin hapësinor të NASA-s, ku shkroi histori si një nga astronautët më të respektuar dhe më të dashur të Amerikës.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-