Ndahet nga jeta Jiorgos Papadhakis, zëri që shënoi gazetarinë greke dhe mbrojti dinjitetin e emigrantëve

Ndahet nga jeta Jiorgos Papadhakis, zëri që shënoi gazetarinë greke dhe mbrojti dinjitetin e emigrantëve

Në moshën 74-vjeçare është ndarë nga jeta Jiorgos (George) Papadhakis, një nga figurat më emblematike të gazetarisë televizive në Greqi dhe prezantuesi historik i emisionit “Kalimera Elladha” në televizionin ANT1. Sipas mediave greke, shkak i vdekjes ishte një infarkt akut i miokardit.

Papadhakis mbylli kështu një kapitull 35-vjeçar në ekran, një periudhë që tejkaloi kufijtë e një karriere televizive dhe u kthye në një referencë shoqërore për Greqinë moderne. Emisioni i tij i mëngjesit u bë për dekada një pikë takimi për debatin publik, informacionin dhe çështjet sociale, duke ndikuar drejtpërdrejt në formësimin e opinionit publik.

Një vend të veçantë në veprimtarinë e tij zuri trajtimi i emigracionit shqiptar, veçanërisht që nga fillimi i viteve ’90. Në një kohë kur emigrantët shqiptarë shpesh stigmatizoheshin dhe përmendeshin vetëm në kronika negative, Papadhakis e mbajti çështjen e tyre në qendër të vëmendjes, duke i paraqitur si pjesë të pandashme të shoqërisë greke: si punëtorë, prindër dhe kontribuues të zhvillimit ekonomik e social të vendit.

Për komunitetin shqiptar në Greqi, “Kalimera Elladha” u shndërrua në një hapësirë ku gjenin përfaqësim dhe dinjitet, ndërsa për shumë gazetarë të rinj, Papadhakis mbeti një figurë udhërrëfyese dhe një standard profesional i gazetarisë së përgjegjshme.

Gjatë gjithë karrierës së tij, ai qëndroi besnik ndaj ANT1, duke refuzuar oferta të tjera dhe duke mbetur i lidhur ngushtë me kanalin, publikun dhe vizionin editorial që kishte ndërtuar ndër vite. Përkushtimi i tij ndaj gazetarisë dhe fjalës së lirë e bëri një nga figurat më të respektuara të medias greke.

Me ndarjen nga jeta të Jiorgos Papadhakis, gazetaria greke humbet një nga zërat e saj më të fortë, ndërsa për shqiptarët e Greqisë ai mbetet një simbol i mbështetjes, respektit dhe urës së komunikimit mes dy shoqërive.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-