Myzeqeja braktis shalqirin – mungesa e tregut dhe e punëtorëve godet bujqësinë

Myzeqeja braktis shalqirin – mungesa e tregut dhe e punëtorëve godet bujqësinë

Ndryshimet klimatike, mungesa e tregut dhe vështirësitë me fuqinë punëtore po detyrojnë fermerët e Myzeqesë të braktisin kultivimin e shalqirit, një nga kulturat bujqësore më të rëndësishme për zonën.

Në fshatin Suk 1 të Roskovecit, fermeri Saimir Kodheli tregon se këtë vit ka reduktuar ndjeshëm sipërfaqen e mbjellë me shalqi – nga 5 hektarë vitin e kaluar, ka mbjellë vetëm 2 hektarë.

“Është e pamundur të përballojmë kostot, mungon tregu dhe nuk ka punëtorë,” – thotë Kodheli, i cili këtë sezon ka angazhuar anëtarë të familjes për të përballuar punën në arë.

Rënia prek edhe Frakullën dhe Levanin
Situata është e ngjashme edhe në Frakull, zonë e njohur për prodhimin e luleshtrydheve dhe bostanoreve. Agronomi Erando Troka shprehet se nga 230 hektarë të mbjella me shalqi, këtë vit janë mbjellë vetëm 130 hektarë.

“Kjo rënie nuk prek vetëm shalqirin – po ndodh me të gjitha kulturat bujqësore,” – thekson Troka, duke apeluar për ndërhyrje nga institucionet shtetërore për të shpëtuar fermerët nga kolapsi ekonomik.

Në Levan, një tjetër njësi administrative bujqësore, situata është gjithashtu shqetësuese. Fermeri Enver Selamaj ka reduktuar ndjeshëm sipërfaqen e mbjellë – nga 7 dynymë, këtë vit ka kultivuar vetëm 1 dynym shalqi.

Fermerët paralajmërojnë: prodhimi po zhduket
Fermerët tërheqin vëmendjen se nëse nuk ndërhyhet urgjentisht me politika mbështetëse, shumë prej tyre do të detyrohen të braktisin përfundimisht kultivimin e bostanoreve. Prodhimi, sipas tyre, do të mbetet vetëm për konsum familjar, ndërsa qindra hektarë rrezikojnë të mbeten djerrë.

Lajmi nga: Armand Xhelili
Armand Xhelili

Armand Xhelili

Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.

Komente

-