Një lokal në zonën turistike të Radhimës është ndëshkuar me një gjobë prej 400 000 lekësh dhe është proceduar penalisht, pasi u konstatua duke gjeneruar muzikë pas orës 24:00, në shkelje të orarit të lejuar dhe kufijve të përcaktuar për nivelin e zhurmës.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, kontrollet intensive të zhvilluara në kuadër të planit për garantimin e qetësisë publike në sezonin turistik vijojnë në të gjitha zonat bregdetare.
Gjatë verifikimeve të kryera nga shërbimet e Stacionit të Policisë Orikum, u evidentua shkelja në lokalin e drejtuar nga shtetasi B. B., 57 vjeç, banues në Radhimë, i cili tashmë është në procedim penal për veprën “Prishja e qetësisë publike”.
Policia e Vlorës u bën thirrje të gjithë administratorëve të subjekteve private që operojnë në fushën e argëtimit të respektojnë oraret dhe kufijtë e zhurmës, me qëllim ruajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë për banorët dhe pushuesit.
Kontrollet do të vijojnë edhe në ditët në vijim.
Komente