Kriza e ujit të pijshëm vijon të rëndojë mbi banorët e Vlorës dhe fshatit Nartë, vetëm 5 kilometra larg qytetit. Prej më shumë se një muaji, banorët e Nartës janë pa ujë të pijshëm, të detyruar të mbushin bidonë nga botet që dërgon bashkia, të cilat shpesh nuk mjaftojnë për të gjithë.
Në këto temperatura të larta, situata është veçanërisht e rëndë për të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore, që detyrohen të presin në radhë për pak litra ujë. Pamjet nga fshati ngjajnë me një skenë emergjence, me banorët që shprehen të harruar nga institucionet.
“Na deshën për votën, tani nuk kujtohen më për ne”, thonë banorët, të cilët kanë kërkuar ndihmë si në bashki, ashtu edhe te ndërmarrja e ujësjellësit, por pa marrë asnjë zgjidhje konkrete.
Edhe në lagjen “11 Janari” të Vlorës, situata nuk është më e lehtë. Rreth 100 familje janë pa ujë prej dy muajsh, duke u detyruar të blejnë ujin me botë, ndërsa ankesa të përsëritura nuk kanë sjellë përmirësim. Sipas banorëve, vetë drejtori i ndërmarrjes së ujësjellësit ka qenë në terren, por problemi vijon pa afat zgjidhjeje.
Banorët e prekur kërkojnë zgjidhje të menjëhershme dhe transparente, pasi mungesa e ujit po ndikon rëndë jo vetëm në jëtën e përditshme, por edhe në shëndetin dhe dinjitetin e tyre. Me verën që sapo ka nisur, alarmet për përkeqësim të mëtejshëm të situatës mbeten të larta, ndërsa qytetarët presin reagim urgjent nga autoritetet.
Komente