SHËNGJIN – Pushuesit në plazhin e Shëngjinit kanë në dispozicion këtë verë një formë të re të ndihmës së shpejtë mjekësore: motoambulanca, të cilat janë vënë në funksion për të përballuar urgjencat shëndetësore në zonat me qarkullim të vështirësuar.
Motoambulancat mundësojnë ndërhyrje të shpejtë në situata emergjente, sidomos në raste kur trafiku i rënduar apo rrugicat e ngushta e bëjnë të pamundur mbërritjen në kohë të autoambulancave.
Sipas koordinatorit të urgjencës në spitalin e Lezhës, motoambulancat janë të pajisura me të gjitha mjetet e ndihmës së parë dhe kanë në bord një ekip mjekësor të trajnuar – mjek dhe infermier – për të ofruar ndihmë të menjëhershme në vendngjarje.
“Motoambulanca ka ekipin mjekësor të trajnuar dhe mjetet e nevojshme për të ofruar ndihmën e parë,” tha koordinatori në një prononcim për mediat.
Vetëm gjatë javëve të para të sezonit veror, shërbimi i urgjencës në Shëngjin ka marrë mbi 1 mijë thirrje për ndihmë, nga pushues dhe banorë të zonës.
Qendra shëndetësore verore në Shëngjin ndodhet në një nga segmentet më të frekuentuara të vijës bregdetare dhe garanton shërbim mjekësor 24/7 gjatë gjithë sezonit.
Aktualisht, 36 qendra shëndetësore verore janë në funksion në të gjithë vendin, nga veriu në jug, për të garantuar kujdes shëndetësor për të gjithë pushuesit – vendas dhe të huaj.
Gentjan Kellçiu është gazetar dhe moderator nga Vlora, i njohur për raportimet e tij në terren dhe drejtimin e emisioneve informative. Aktualisht ai drejton emisionin e mëngjesit “Agon Blu” në Blu TV.
Komente