Moti i keq godet Teksasin në Ditën e Pavarësisë - 24 viktima dhe 25 vajza të një kampi veror të zhdukura

Moti i keq godet Teksasin në Ditën e Pavarësisë - 24 viktima dhe 25 vajza të një kampi veror të zhdukura

Një tragjedi e madhe ka goditur Teksasin në SHBA gjatë festimeve të Ditës së Pavarësisë, pasi përmbytjet e papritura kanë shkaktuar të paktën 24 viktima dhe kanë lënë të zhdukura 25 vajza nga një kamp veror.

Presidenti amerikan Donald Trump e ka cilësuar ngjarjen si “tronditëse” dhe “të tmerrshme”, ndërsa autoritetet federale kanë premtuar mbështetje të menjëhershme për zonat e prekura. Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, ka konfirmuar se operacionet e kërkim-shpëtimit janë në vijim dhe po zhvillohen pa ndërprerje, megjithëse numri i saktë i të zhdukurve nuk është bërë ende publik.

Sipas raportimeve, lumi Guadalupe u rrit me plot 8 metra brenda 45 minutash, duke përmbytur prona dhe duke marrë përpara gjithçka në rrugën e tij. Një nga zonat më të goditura është kampi veror “Camp Mystic”, ku strehoheshin dhjetëra vajza.

Operacionet e shpëtimit janë të përmasave të jashtëzakonshme, me angazhimin e 14 helikopterëve, 12 dronëve, 9 ekipe kërkim-shpëtimi dhe mbi 400 punonjës në terren, përfshirë zhytës dhe mjete taktike ushtarake. Gjeneralmajori Thomas Suelzer konfirmoi se deri më tani janë shpëtuar 237 persona.

Pavarësisht përpjekjeve, autoritetet përballen me vështirësi të mëdha për shkak të ndërprerjeve të komunikimit në zonat më të goditura, gjë që e bën të vështirë edhe kontaktin me kampin e vajzave të zhdukura.

Në Kerr County, ku përmbytja ka qenë më e rëndë, autoritetet janë kritikuar për mungesën e një sistemi paralajmërues, por theksojnë se kjo ishte një ngjarje jashtë çdo parashikimi, madje më e rëndë se përmbytja e vitit 1987 që i mori jetën 10 të rinjve.

Ndërkohë, moti i keq ka prekur edhe shtete të tjera të SHBA-së. Në New Jersey, tre persona humbën jetën nga stuhitë dhe reshjet e dendura, mes tyre dy burra të cilët u goditën nga një pemë që ra mbi makinën e tyre dhe një grua 44-vjeçare që humbi jetën në rrethana të ngjashme.

Paralajmërimet për reshje dhe përmbytje të tjera mbeten në fuqi, pasi në disa zona ka rënë sasi shiu sa për disa muaj brenda vetëm pak orësh.

Lajmi nga: Vjola Murati
Vjola Murati

Vjola Murati

Vjola Murati është spikere dhe gazetare në Blu Televizion, me një formim akademik në Shkenca Sociale dhe Komunikim nga Universiteti i Tiranës. Ajo sjell në ekran profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përkushtim ndaj realitetit të komunitetit vendas.

Komente

-