Mot ekstrem në Ballkan dhe Europë, viktima, përmbytje dhe ndërprerje masive të shërbimeve

Mot ekstrem në Ballkan dhe Europë, viktima, përmbytje dhe ndërprerje masive të shërbimeve

Reshjet intensive të shiut dhe dëborës kanë përfshirë një pjesë të madhe të Ballkanit Perëndimor dhe të Europës, duke shkaktuar përmbytje, ndërprerje të energjisë elektrike dhe probleme serioze në transport, ndërsa janë shënuar edhe viktima.

Në Bosnje dhe Hercegovinë, një grua humbi jetën në Sarajevë pasi u godit nga një pemë e rrëzuar si pasojë e peshës së madhe të dëborës. Situata paraqitet kritike edhe në Mostar, ku disa lumenj kanë dalë nga shtrati, ndërsa në lindje të vendit autoritetet kanë shpallur gjendjen e emergjencës për shkak të rritjes së nivelit të lumit Drina.

Reshjet e shumta të 24 orëve të fundit kanë përkeqësuar ndjeshëm situatën edhe në Kosovë. Zona e Malishevës raportohet si më e prekura nga vërshimet, ndërsa probleme të mëdha janë regjistruar edhe në Gjakovë, Junik, Deçan dhe Klinë. Dalja nga shtrati e lumenjve ka sjellë përmbytje në rrugë dhe banesa, duke shkaktuar bllokime në komunikim, probleme me kanalizimet dhe vështirësi të theksuara në qarkullimin rrugor.

Në Serbi, reshjet e dëborës kanë lënë dhjetëra fshatra pa energji elektrike, ndërsa në disa zona perëndimore është shpallur gjendja e emergjencës. Edhe në Mal të Zi situata mbetet problematike, me dhjetëra rrugë të mbyllura dhe rrezik për përmbytje të banesave, veçanërisht në Ulqin, Podgoricë, Kolašin dhe zona të tjera.

Moti i ashpër ka shkaktuar pasoja të rënda edhe në disa vende të Bashkimit Europian. Në Francë, pesë persona kanë humbur jetën si pasojë e kushteve ekstreme atmosferike, ndërsa qindra fluturime janë anuluar. Të paktën gjashtë aeroporte në veri dhe perëndim të vendit janë mbyllur përkohësisht.

Në Holandë, rreth 400 fluturime janë anuluar në aeroportin Schiphol të Amsterdamit për shkak të ngricave në pistë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se reshjet e dëborës pritet të vijojnë deri në fund të javës. Udhëtarët janë këshilluar të shmangin lëvizjet e panevojshme.

Në Itali, lumi Tiber ka dalë nga shtrati në Romë pas shirave të dendur, ndërsa autoritetet vendore kanë kufizuar aksesin në parqe publike për shkak të rrezikut nga përmbytjet dhe rrëzimi i pemëve.

Temperaturat kanë rënë ndjeshëm edhe në Mbretërinë e Bashkuar, duke zbritur deri në 12.5 gradë Celsius. Dëbora ka sjellë ndërprerje në transportin hekurudhor, ajror dhe rrugor, si dhe mbylljen e dhjetëra shkollave. Situata paraqitet veçanërisht e vështirë në Skoci, ku dëbora e dendur ka shkaktuar pengesa serioze në furnizimin me ushqime dhe ilaçe.

Autoritetet në të gjitha vendet e prekura u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet, të ndjekin udhëzimet zyrtare dhe të lëvizin vetëm në raste të domosdoshme, ndërsa strukturat e emergjencës vijojnë punën për përballimin e situatës.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-