Monumenti i Pavarësisë në errësirë Një qytet pa kujdes, një turizëm pa  ndricim Nga Marieta Mërkuri

Monumenti i Pavarësisë në errësirë Një qytet pa kujdes, një turizëm pa ndricim Nga Marieta Mërkuri

Ora është 11:30 e mbrëmjes dhe në qendër të qytetit, në sheshin përpara Monumentit të Pavarësisë, errësira mbulon gjithçka.
Një errësirë e plotë, e rëndë, që i mohon këtij simboli historik të Vlorës ndriçimin që meriton.
Në një cep, disa turistë të huaj përpiqen me dritën e telefonave të tyre të zbardhin murin, të shohin detajet, të kapin me blicin e telefonit atë që duhet të shkëlqejë natën. Një skenë që nuk e do asnjë qytet serioz dhe aspak dinjitoz.
Monumenti i Pavarësisë nuk është vetëm një gur i rëndë mbi të cilin janë ngjitur historitë e lirisë sonë. Ai monument është zemra e qytetit të Vlorës, është një thirrje për kujtesë dhe krenari, dhe një pjesë thelbësore e turizmit historik në qendrën e qytetit të vjetër.
Por sot, ky monument është harruar. Ai është lënë në errësirë, si të mos ishte i rëndësishëm për qytetin, për banorët, për vizitorët.
Nëse një monument i tillë nuk ndriçohet si duhet, kush është fajtori?
Mos vallë është mungesa e vëmendjes nga autoritetet vendore?
Mos është dështimi në menaxhimin e qytetit? Apo ndoshta një injorancë kulturore dhe një mungesë përgjegjësie që kalon përtej çdo justifikimi?
Kjo nuk është vetëm një çështje teknike apo estetike. Është një shenjë e qartë e mungesës së respektit për historinë, për trashëgiminë, dhe për veten tonë si qytetarë.
Në një kohë kur qytete të tjera investojnë në ndriçimin dhe ruajtjen e monumenteve, ne jemi ende në një hapësirë ku simboli ynë më i rëndësishëm fshihet në errësirë.
Ndriçoni Monumentin e Pavarësisë!
Jepini qytetit tonë dritën që ai meriton!
Ndriçoni qytetin! Sepse një qytet që nuk respekton historinë e vet, nuk ka të ardhme.

Lajmi nga: Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri

Marieta Mërkuri

Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Komente

-