Mogherini jep dorëheqjen nga posti i retores pas hetimeve për mashtrim me fondet e BE-së

Mogherini jep dorëheqjen nga posti i retores pas hetimeve për mashtrim me fondet e BE-së

Ish-shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, ka dhënë dorëheqjen nga pozicioni i retores së Kolegjit të Evropës, pas nisjes së hetimeve për mashtrim që lidhen me fondet e BE-së. Ajo deklaroi se vendimi u mor për të ruajtur integritetin dhe korrektësinë profesionale që, sipas saj, e kanë shoqëruar gjatë gjithë karrierës.

Procedurat penale ndaj Mogherinit, zëvendësit të saj Cesare Zegretti dhe ish-drejtuesit të lartë të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm, Stefano Sannini, u hapën nga Zyra e Prokurorit Publik Evropian. Ata po hetohen për mashtrim në prokurim, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional. Sannini kishte njoftuar një ditë më parë se do të tërhiqej me pension të parakohshëm.

Hetuesit dyshojnë se një sasi fondesh të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm mund të jetë kanalizuar drejt Kolegjit të Evropës për një program trajnimi diplomatik. Në këtë kuadër, autoritetet belge zhvilluan kontrolle në zyrat e shërbimit në Bruksel, në ambientet e Kolegjit në Bruges si dhe në banesat e disa të dyshuarve, ku u kryen edhe tre arrestime.

Sipas prokurorisë, Kolegjit të Evropës i është dhënë kontrata për programin e tenderuar nga institucioni europian në vitet 2021 dhe 2022. Hetimi synon të zbardhë nëse ka pasur bashkëpunim të ndaluar mes palëve gjatë periudhës kur tenderi ishte ende aktiv, gjë që do të krijonte avantazh të padrejtë ndaj konkurruesve të tjerë.

Një zëdhënës i Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm u shpreh se çështja lidhet me mandatet e mëparshme të drejtimit. Aktualisht, institucionin e drejton estonezja Kaja Kallas, e cila ka rreth një vit në detyrë. Para saj, detyrën e mbante spanjolli Josep Borrell, gjatë mandatit të të cilit dyshohet se kanë ndodhur shkeljet. Më herët, nga viti 2014 deri në vitin 2019, pozicionin e Përfaqësueses së Lartë e mbante Mogherini.

Federica Mogherini u emërua rektore e Kolegjit të Evropës në vitin 2020, ndërsa mandatin e saj të dytë e nisi këtë shtator. Ndërkohë, Stefano Sannini e ushtroi detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të shërbimit diplomatik europian në vitet 2021–2024.

Kolegji i Evropës mbetet një institucion privat me fokus të veçantë në studimet evropiane dhe ndër vite ka diplomuar një numër të madh diplomatësh, zyrtarësh të BE-së dhe politikanësh.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-