Misioni i bombardimeve që goditi objektiva bërthamore në Iran gjatë fundjavës ka hyrë në historinë ushtarake si një nga më të gjatat ndonjëherë, me pilotët e bombarduesve B-2 që përballuan një fluturim maratonë prej 37 orësh pa ndalesë.
Shtatë bombardues “B-2 Spirit”, me nga dy anëtarë ekuipazhi, u nisën nga baza ajrore Whiteman në SHBA, duke përshkuar gjysmën e globit për të realizuar sulmin strategjik. Një operacion kompleks që përfshinte më shumë se 125 avionë të llojeve të ndryshme – nga bombardues, deri te aeroplanë zbulues dhe cisterna për furnizim me karburant në ajër.
Koloneli në pension Melvin G. Deaile, veteran i një misioni 44-orësh në vitin 2001, ofron një pasqyrë të rrallë nga përvoja e tij: nga përdorimi i pilulave për të qëndruar zgjuar (përfshirë amfetaminat e autorizuara nga mjekët e fluturimit), deri te zgjidhjet e improvizuara për higjienën, si përdorimi i qeseve të posaçme për urinim gjatë fluturimeve.
Pilotët trajnoheshin në simulatorë 24-orësh për të përballuar lodhjen ekstreme dhe sfidat psikofizike. Gjatë fluturimit, alternonin gjumin në një hapësirë të vogël pas kabinës, duke ruajtur vigjilencën në momentet kyçe: ngritje, bombardim dhe ulje.
Pavarësisht teknologjisë së avancuar të B-2, kushtet brenda avionit ishin minimaliste. Dehidrimi ishte një problem i përhershëm, ndërsa ekipi konsumonte një shishe ujë në orë. Për shkak të natyrës sekrete dhe ndërlikuar të misionit, pilotët e merrnin urdhrin përfundimtar vetëm pak para nisjes.
Misioni i fundit mbi Iran tregon jo vetëm fuqinë ushtarake amerikane, por edhe limitet ekstreme që testohen mbi trupin dhe mendjen njerëzore në shërbim të strategjive globale të sigurisë.
Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.
Komente