Miratohen rregullat e reja për hyrjet në vendet e BE-së  -  Zbatimi nis nga 12 tetori 2025

Miratohen rregullat e reja për hyrjet në vendet e BE-së - Zbatimi nis nga 12 tetori 2025

Bashkimi Europian ka njoftuar se, duke filluar nga data 12 tetor 2025, do të nisë zbatimi gradual i një sistemi të ri për kontrollin e hyrjeve dhe daljeve të qytetarëve nga jashtë BE-së. Ky sistem, i quajtur “Entry/Exit System” (EES), do të zëvendësojë vulosjen tradicionale të pasaportave dhe do të përdorë regjistrimin digjital të të dhënave biometrike, si gjurmët e gishtave dhe imazhi i fytyrës.

Ky sistem do të prekë drejtpërdrejt të gjithë turistët dhe udhëtarët që nuk janë qytetarë të BE-së, përfshirë edhe shtetasit shqiptarë. Zbatimi i sistemit EES do të nisë në mënyrë graduale për një periudhë 6-mujore, dhe autoritetet kufitare do të fillojnë të regjistrojnë të dhënat biometrike të shtetasve të vendeve të treta që kalojnë kufirin. Pas këtij procesi, regjistrimi i të dhënave do të bëhet një herë dhe pasagjerët nuk do të kenë nevojë për vulosje të pasaportave në hyrje dhe dalje.

Komisioni Europian ka theksuar se ky sistem është pjesë e strategjisë për krijimin e "kufijve të zgjuar", që synojnë përshpejtimin e procedurave të hyrjes për udhëtarët e rregullt, si dhe forcimin e masave kundër emigracionit të paligjshëm. Në disa pika kufitare tashmë kanë nisur përgatitjet për këtë sistem të avancuar.

Në përfundim të periudhës 6-mujore, sistemi EES do të jetë plotësisht funksional në të gjitha pikat kufitare të BE-së, përfshirë edhe shtetet që janë pjesë e zonës Schengen.

Ky sistem do të lejojë autoritetet të kontrollojnë menjëherë nëse një udhëtar ka tejkaluar afatin e qëndrimit të lejuar në një nga 29 vendet europiane.

Ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm në përmirësimin e sigurisë dhe lehtësimin e lëvizjes për udhëtarët e ligjshëm në BE.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-