“Minuta e fundit” -  dështon tentativa e hoteleve për më shumë të ardhura: Pritshmëritë për pushuesit e Durrësit nuk janë përputhur me realitetin

“Minuta e fundit” - dështon tentativa e hoteleve për më shumë të ardhura: Pritshmëritë për pushuesit e Durrësit nuk janë përputhur me realitetin

Në një sezon turistik të pazakontë, hotelet dhe resorte përgjatë bregdetit të Durrësit po përballen me një situatë të paparashikuar. Pritshmëritë për numrin e turistëve, veçanërisht për muajin korrik, janë larg realitetit dhe kjo ka shkaktuar shqetësim tek administratorët e strukturave akomoduese.

Strategjia e minutës së fundit, një bumerang

Blerim Norja, administrator i një resorti në Durrës, tregon për situatën dhe sfidat me të cilat po përballen. “Pritshmëritë për muajin korrik kanë qenë disi më të larta. Ka ndodhur një fenomen: shumë hotele kanë preferuar të mos i shesin dhomat përmes agjencive, por t’i shesin direkt përmes klientëve të minutës së fundit. Megjithatë, kjo strategji është kthyer në një bumerang,” thotë ai.

Kjo ka ndikuar në mbushjen e dhomave dhe në arritjen e objektivave përfitimi, pasi shumë turistë që kishin planifikuar udhëtimet më herët, kanë preferuar të rezervojnë destinacione të tjera, duke lënë strukturat akomoduese pa një rezervim të qëndrueshëm.

Turistët vendas dhe të huaj: Ndryshimet në sjelljen e rezervimeve

Në lidhje me tipologjinë e turistëve, administratorët e hoteleve shpjegojnë se turistët e huaj priren t'i planifikojnë pushimet shumë më herët, ndërsa turistët shqiptarë zakonisht preferojnë të bëjnë rezervimet vetëm në periudhën 20 korrik – 20 gusht. Pavarësisht kësaj, ata theksojnë se turistët vendas janë më dorëlëshuar përtej paketës që paguajnë, çka i bën ata më fleksibël në përballimin e shpenzimeve shtesë.

Riviera e Jugut gjithashtu ka mbetur pas pritshmërive

Po ashtu, nuk është vetëm Durrësi, por edhe strukturat akomoduese përgjatë rivierës së Jugut që janë përballur me një numër më të ulët turistësh se sa ishin parashikuar. Pritshmëritë e tyre për këtë sezon nuk janë përmbushur, duke krijuar një hendek mes asaj që ishte planifikuar dhe realitetit të ardhur.

Pavarësisht përpjekjeve për të tërhequr më shumë turistë përmes strategjive të minutës së fundit dhe promovimeve, industria e turizmit duket se po përballet me sfida të mëdha për të plotësuar kapacitetet e akomodimit dhe për të arritur objektivat e të ardhurave.

Lajmi nga: Dea Hasanaj
Dea Hasanaj

Dea Hasanaj

Dea Hasanaj është Drejtore e Burimeve Njerëzore, Administratës dhe Programacionit në Blu TV. Me formim juridik, ajo koordinon funksionimin organizativ të televizionit, menaxhon stafin dhe siguron zbatimin e standardeve editoriale.

Përveç detyrës drejtuese, Dea është edhe autore dhe shkrimtare opinioni, e njohur për analizat e saj mbi çështje sociale, kulturore dhe mediatike.

Ajo përfaqëson institucionin pranë palëve të treta, dhe kujdeset për ecurinë e bashkëpunimit të brendshëm.
Roli i saj është thelbësor për funksionimin efikas dhe identitetin editorial të Blu TV

Komente

-