Ministria e Mbrojtjes, përmes strukturave të Mbrojtjes Civile, ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve në tre fshatra të Bashkisë Delvinë: Palavli, Vergo dhe Kopaçëz, për shkak të rrezikut të lartë nga zjarret që po përhapen në këto zona.
Autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencave civile kanë bërë thirrje për kujdes dhe bashkëpunim nga ana e qytetarëve, duke iu kërkuar të respektojnë udhëzimet dhe të bashkëpunojnë me forcat e Policisë dhe stafin e emergjencave, të cilët janë të angazhuar në mbrojtjen e jetës dhe pasurive të banorëve.
Aktualisht, operacionet po mbështeten edhe nga dy helikopterë të Forcës Ajrore, të cilët po veprojnë intensivisht në zonën e Delvinës. Gjithashtu, dy helikopterë të tjerë janë angazhuar në operacionet ajrore që po zhvillohen në qarkun Berat-Dimal për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve dhe sigurimin e zonave të rrezikuara.
Ministria e Mbrojtjes dhe strukturat e emergjencës janë në gatishmëri të plotë për të reaguar ndaj çdo situate të re që mund të shfaqet si pasojë e përhapjes së zjarreve.
Për informacion të mëtejshëm dhe udhëzime, qytetarët janë të ftuar të ndjekin kanalet zyrtare të komunikimit të autoriteteve.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente