Ministri Gonxhja - Mbi 773 mijë vizitorë në sitet kulturore nga janari në korrik 2025

Ministri Gonxhja - Mbi 773 mijë vizitorë në sitet kulturore nga janari në korrik 2025

Shqipëria po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një destinacion i rëndësishëm i turizmit kulturor botëror. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se gjatë periudhës janar–korrik 2025, sitet kulturore të vendit u vizituan nga 773,542 persona, duke shënuar një rritje prej 69% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Vetëm në muajin korrik 2025, thesaret kulturore të Shqipërisë u vizituan nga 204,453 persona, vendas dhe të huaj, një rritje prej 56% në raport me korrikun e 2023-shit.

5 destinacionet më të vizituara të trashëgimisë kulturore

Parku Kombëtar Butrint – 150,178 vizitorë

Kalaja e Gjirokastrës – 142,838 vizitorë

Parku Arkeologjik Shkodër – 100,443 vizitorë

Muzeu Gjergj Kastrioti, Krujë – 95,386 vizitorë

Parku Arkeologjik Apoloni – 71,300 vizitorë

Sipas të dhënave, parqet arkeologjike u vizituan nga 334,911 persona, 93% më shumë se në vitin 2023. Muzetë tërhoqën mbi 240 mijë vizitorë (+38%), ndërsa kala dhe monumente historike patën mbi 198 mijë vizitorë (+78%).

Gonxhja theksoi se këto shifra dëshmojnë rritjen e interesit për trashëgiminë kulturore shqiptare dhe përfshirjen e vendit në hartën e destinacioneve kulturore ndërkombëtare.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-