Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, zhvilloi një takim në Strasburg me raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Andreas Schieder, të cilin e cilësoi si “një mik dhe mbështetës të vyer të Shqipërisë”.
Balla vlerësoi raportin vjetor për Shqipërinë, që pritet të miratohet fillimisht nga Komiteti i Politikës së Jashtme të PE (AFET), përpara se të kalojë në seancën plenare më 8–9 korrik. Ai përshëndeti gjithashtu deklaratën e Schieder se Shqipëria është “favoriti kryesor” mes vendeve që synojnë anëtarësimin në BE.
“Vizioni ynë është i qartë: Synojmë të mbyllim negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe të sigurojmë anëtarësimin e plotë brenda mandatit të ri qeverisës, të besuar nga shumica absolute e shqiptarëve në zgjedhjet e 11 majit”, u shpreh Balla, duke nënvizuar progresin e vendit në reformat demokratike dhe institucionale.
Një ditë më parë, në Strasburg, ministri Balla mori pjesë në mbledhjen e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, ku përcolli mesazhin se Shqipëria është më e përgatitur se kurrë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.
Komente