Miliona euro drejt Peqinit - Detaje nga dosja e kartelit shqiptar të drogës

Miliona euro drejt Peqinit - Detaje nga dosja e kartelit shqiptar të drogës

SPAK ka zbuluar detaje të reja nga hetimet për një nga grupet më të mëdha shqiptare të trafikimit të drogës, i cili dyshohet se ka ndikuar deri edhe në çmimin e kokainës në tregun europian.

Sipas dosjes hetimore, një prej figurave kryesore të kartelit, Ervis Çela, bashkë me vëllain e tij Ardjan Çela – që jetonte në Paraguai – ka administruar shuma të mëdha parash të përfituara nga trafiku i lëndëve narkotike drejt vendeve të BE-së.

Nga përgjimet e SPAK, më 15 tetor 2020, Ervis Çela i ka treguar vëllait se shtetasi Franc Gergely do të sillte në Shqipëri një shumë prej 1 milion euro, duke shtuar se ai kishte shlyer të gjitha detyrimet dhe kishte depozituar edhe 2 milion dollarë të tjera.

Në të njëjtën bisedë, përmendet edhe shtetasi Fadil Balla, i njohur si “Jul”, i cili kishte një detyrim financiar prej 7.373.000 euro ndaj grupit, lidhur me aktivitetin e trafikimit të drogës. Për shkak të kësaj shume të papaguar, Ervisi shprehej se ishte pranë vendimit për ta ndërprerë furnizimin e tij.

Në një tjetër rast, më 10:39 të mëngjesit, Albin Çela i ka komunikuar vëllait të tij se kishte marrë një shumë prej 1 milion e 160 mijë euro, të dorëzuar nga një person i përshkruar si “shoku”, në mes të rrugës në Tiranë, e më pas e transportuar në Peqin nga Denis Daja.

Po ashtu, Franc Gergely i ka dërguar mesazh Ervis Çelës duke i bërë me dije se kishte dorëzuar 150 mijë euro dhe se javën e ardhshme do të sillte edhe 1 deri në 1.2 milionë euro të tjera.

Ky operacion financiar dhe logjistik, i përshkruar në dosje, është pjesë e provave që SPAK po përdor për të ndërtuar akuzat ndaj grupit që dyshohet se ka pasur ndikim të madh në trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt Europës dhe Shqipërisë.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-