Në një botë që ndryshon përditë, ku ritmi i jetës shpesh largon njerëzit nga natyra dhe thjeshtësia, Aleksandër Tafili ka zgjedhur të qëndrojë i palëkundur në pasionin e tij: rritjen dhe përkujdesjen për lulet. Prej më shumë se 20 vitesh, ai nuk është thjesht kultivues i bimëve, por krijues i një oazi ngjyrash, paqeje dhe frymëzimi.
Dikur punonte me materiale ndërtimi, por vendosi ta linte pas atë rrugë për t’iu përkushtuar plotësisht diçkaje që, siç thotë vetë, “i jep jetë çdo dite”. Me një buzëqeshje të heshtur, Aleksandri rrëfen se shitja e lules së parë është një moment që nuk e harron kurrë – një kujtim që e ruan si një emocion të rrallë. “Lulja është si fëmija,” shprehet ai, duke treguar lidhjen e thellë që ka me çdo bimë që rrit.
Për Aleksandrin, çdo lule është një rrëfim i vogël dashurie, një histori përkushtimi dhe durimi. Nga bimët më të zakonshme te ato dekorative më të rralla, duart e tij i japin jetë, i rrisin dhe i shndërrojnë në burim gëzimi për të gjithë ata që kalojnë pranë kopshteve të tij.
E pyetur nëse ky përkushtim për lulet ka krijuar ndonjëherë xhelozi në familje, ai e kalon me një të qeshur – një shenjë që ndoshta, si lulet, edhe dashuria e vërtetë gjen gjithmonë mënyrën për të lulëzuar pa fjalë të mëdha.
Për të, lulet nuk janë thjesht zbukurim – ato janë pjesë e jetës, janë qetësi, ritëm, ngushëllim dhe frymëzim. Në çdo petal të butë, në çdo ngjyrë të ndezur, fshihet një pjesë e shpirtit të tij – një shpirt që ka zgjedhur të flasë në gjuhën më të bukur të natyrës.
Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.
Komente