Merkatoja e verës për skuadrat italiane është futur në javë vendimtare, me disa lëvizje të rëndësishme që mund të ndryshojnë gjithçka në Serie A.
Lookman për Interin
Ademola Lookman po vazhdon luftën për t’u transferuar te Interi. Mungesat e tij në stërvitje me Atalantën kanë shtuar tensionet mes palëve, duke nxitur mundësinë e një gjobe për mungesat e tij të paarsyeshme. Atalanta mbetet e palëkundur dhe ka refuzuar disa oferta nga Interi, por zikaltrit janë të gatshëm të rrisin ofertën e tyre për të siguruar shërbimet e nigerianit, që ka refuzuar ofertat e Napolit dhe Atletico Madridit. Interi shpreson të mbyllë marrëveshjen dhe të sigurojë një sulmues me karakteristika të ngjashme me Lookman përpara fillimit të Serie A.
Juventusi dhe dilema e Vlahoviç
Për Juventusin, një tjetër problem është Dusan Vlahoviç, i cili nuk është në planet e trajnerit Tudor, por ende ka një pagë të lartë dhe vështirësi në shitjen e tij. Sulmuesi ka refuzuar mundësinë e kalimit në Fenerbahçe dhe nuk ka rënë dakord me Manchester Unitedin, i cili ka fokusuar vëmendjen tek Benjamin Sesko. Juventusi po përpiqet të lëvizë për një tjetër sulmues, por situata e Vlahoviç mbetet ende e komplikuar.
Milani gati për të afruar Ardon Jasharin
Milani është shumë afër marrëveshjes për Ardon Jasharin, mesfushorin që ka qenë objektiv i klubit të kuqezinjve për më shumë se një muaj. Pas disa javësh negociatash, Milani ka arritur të përmirësojë ofertën dhe të ofrojë 34 milionë euro plus bonuse për të siguruar transferimin e tij nga Brugge. Lajmi është i mirë për tifozët, pasi Jashari, një tifoz i Milanit që nga fëmijëria, pritet të kalojë në Serie A shumë shpejt. Ai mund të arrijë në Itali për të nënshkruar një kontratë pesëvjeçare me pagë 2.5 milionë euro në sezon.
Me këto lëvizje, tre klubet më të mëdhenj të Serie A janë në prag të ndryshimeve të rëndësishme që mund të përshpejtojnë konkurrencën dhe përplasjen në ligë. Të gjithë priten me sy të hapur për të parë se çfarë do të ndodhë më tej në këtë merkato të nxehtë verore.
Komente