Aleati i presidentit rus Vladimir Putin dhe ish-presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev, ka reaguar ashpër pas marrëveshjes së re për mineralet mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara.
Në një deklaratë të publikuar në rrjete sociale, Medvedev tha se Ukraina po “zhduket” dhe se sipas tij, tani po detyrohet të paguajë për ndihmën amerikane me pasurinë e saj kombëtare.
“Trump më në fund e ka detyruar regjimin e Kievit të paguajë për ndihmën amerikane me minerale. Tani furnizimet ushtarake do të duhet të paguhen me pasurinë kombëtare të një vendi në zhdukje”, u shpreh ai.
Në të njëjtën deklaratë, Medvedev përmendi edhe tensionet në rritje me Uashingtonin, duke akuzuar Senatin amerikan për përgatitjen e një raundi të ri sanksionesh kundër Rusisë.
“Senati i SHBA-së, i udhëhequr nga republikanët, po përgatitet të vendosë një raund tjetër ‘sanksionesh shkatërruese’ kundër nesh. Le të shohim se si do të përgjigjet administrata e re. Vlerësimet e Trump kanë rënë dhe ‘shteti i thellë’ po bën rezistencë të ashpër”, shtoi Medvedev.
Këto komente vijnë në një kohë kur marrëdhëniet ndërkombëtare janë gjithnjë e më të tensionuara dhe aleancat gjeopolitike po kalojnë nëpër zhvillime të rëndësishme.
Komente