Fermerët shqiptarë do të përfitojnë më shumë në vitin 2025, falë një skeme të re mbështetëse që sjell rritje të fondeve dhe kushte më të lehta për të përfituar investime në sektorin e bujqësisë.
Qeveria ka miratuar një vendim të ri që synon të nxisë zhvillimin e prodhimit bujqësor përmes subvencioneve direkte dhe mbështetjes për agrobiznesin, duke u fokusuar në investime të menjëhershme dhe praktike për fermerët në të gjithë vendin.
Risi: Pagesë paraprake deri në 30%
Një ndër risitë kryesore të skemës është pagesa paraprake deri në 30% të financimit, e cila mund të përfitohet menjëherë pasi sigurohet një garanci bankare ose nga shoqëritë e sigurimit. Kjo do t’u mundësojë fermerëve të nisin menjëherë projektet pa pritur për përfundimin e tyre.
Çfarë përfiton konkretisht një fermer?
Investime në sera:
15 milionë lekë/ha për sera perimesh
8 milionë lekë/ha për sera me rrush për tavolinë
4 milionë lekë/ha për tunele plastike me luleshtrydhe
Financimi mbulon 50% të vlerës së faturës.
Mbjellje të reja:
Për ullinj, agrume, vreshta apo pemë frutore, fermerët mund të përfitojnë:
Deri në 800 mijë lekë/ha, për sipërfaqe nga 0.5 deri në 10 ha
Sisteme moderne ujitjeje dhe mbrojtje nga breshëri
250 mijë lekë/ha për sistemet e ujitjes me pika
1.5 milionë lekë/ha për rrjetat mbrojtëse kundër breshërit
Përpunimi dhe rritja e kafshëve:
7.5 milionë lekë për subjekt për përpunim dhe paketim
15 milionë lekë për ndërtimin e ambienteve për kafshë dhe shpendë
Zgjerim për agroturizmin dhe akuakulturën
Për herë të parë, skema përfshin edhe agroturizmin dhe akuakulturën:
Subjektet që zhvillojnë mikpritje rurale ose investojnë në akuakulturë (si rritja e peshkut) mund të përfitojnë deri në 15 milionë lekë, që mbulojnë 50% të vlerës së projektit.
Buxheti dhe zbatimi:
Fondi total për këtë skemë arrin në 2 miliardë lekë, nga të cilat 537.8 milionë lekë janë planifikuar vetëm për vitin 2025. Pjesa tjetër do të mbulohet në buxhetin e vitit 2026, si pjesë e një strategjie afatmesme për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë.
Zbatimi i këtij vendimi është ngarkuar Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe ka hyrë në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare.
Komente