Këtë sezon veror, qyteti i Vlorës po ofron më shumë hapësira publike për pushuesit, krahasuar me vitet e kaluara. Bashkia e Vlorës konfirmon se janë vetëm 93 kontrata për plazhe private, një rënie e ndjeshme nga 214 kontratat e një viti më parë.
Ajken Hoxha, përgjegjës i aseteve në Bashkinë e Vlorës, thotë se këtë vit është vënë re një tërheqje nga subjektet private, ndërsa kontratat janë dhënë kryesisht për hotele dhe njësi akomoduese, në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave (VKM). Kjo ka sjellë një rritje të konsiderueshme të hapësirave publike në vijën bregdetare të qytetit.
Ajken Hoxha: “Në gjithë vijën bregdetare të Vlorës do të jenë katër plazhe publike të monitoruara nga Bashkia, ku janë vendosur çadra për pushuesit. Pritet të përfundojë edhe vendosja e vrojtuesve të plazhit, që janë të detyrueshëm për çdo subjekt privat me leje të miratuar.”
Afati përfundimtar për përfundimin e procedurave të ndarjes së hapësirave publike dhe private është 15 korriku. Deri atëherë, pritet edhe miratimi përfundimtar i plazheve të mbetura private, pas mbërritjes së lejeve të aprovuara nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit (AKB).
Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.
Komente