Koreja e Veriut ka hapur dyert për turistët rusë, dhe një prej të parave që e shfrytëzoi këtë mundësi ishte Anastasiya Samsonova, një 33-vjeçare nga Rusia. Ajo kaloi një javë në vendpushimin e sapohapur Wonsan-Kalma, i cili u përurua personalisht nga lideri Kim Jong Un.
"Na pëlqeu shumë. Pamë vetëm gjëra të bukura dhe u ndjemë plotësisht të lirë," tha Anastasiya, e cila përjetoi një udhëtim të paharrueshëm në këtë destinacion të pazakontë. Megjithatë, pamjet e saj tregojnë se vendpushimi, edhe pse modern dhe me plazhe me rërë të bardhë dhe det të pastër, kishte shezlongë të zbrazët dhe dhoma ngrënieje bosh. Kjo është për shkak se aktualisht vetëm turistët rusë janë të mirëpritur në këtë vend.
"Hoteli ishte krejt i ri, gjithçka ishte e dekoruar bukur dhe infrastruktura ishte shumë e zhvilluar," shton ajo, duke përshkruar një përvojë shumë pozitive.
Kur u pyet për arsye se pse nuk zgjodhi destinacione më të zakonshme si Turqia apo Tajlanda, Anastasiya shpjegoi se ajo dhe shoqet e saj donin të përjetonin nga afër jetën në një vend kaq misterioz si Koreja e Veriut.
Interesi për këtë vend ka shpërthyer pas përmirësimit të marrëdhënieve mes Moskës dhe Phenianit, sidomos pas nisjes së luftës në Ukrainë. Ushtarët koreano-veriorë kanë ndihmuar në rajonin e Kurskut në Rusi, ndërsa produkte si mollët dhe birra koreano-veriore tashmë shiten në tregjet e Lindjes së Largët Ruse. Po ashtu, janë vendosur fluturime direkte mes Moskës dhe Phenianit.
Agjencia turistike "Vostok Intur" me seli në Moskë ofron dy ture në javë për në Korenë e Veriut. Drejtoresha e agjencisë, Irina Kobeleva, e cilëson këtë destinacion si të jashtëzakonshëm: "Koreja e Veriut është krejtësisht ndryshe nga pjesa tjetër e botës. Nuk ka reklama në rrugë dhe madje asfalti është i larë," shpjegon ajo.
Sipas Kobelevas, pjesa më e madhe e turistëve janë të moshuar që janë nostalgjikë për periudhën sovjetike, por së fundmi ka një rritje të interesit edhe nga të rinjtë.
Komente