Mbyllet pelegrinazhi 13-javor në Kishën e Shna Ndout – Dritë, lutje dhe shpresë për mijëra besimtarë në Laç

Mbyllet pelegrinazhi 13-javor në Kishën e Shna Ndout – Dritë, lutje dhe shpresë për mijëra besimtarë në Laç

Me një pjesëmarrje masive nga e gjithë Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, përfundoi pelegrinazhi i përvitshëm 13-javor në Kishën e Shna Ndout në Laç, një ndër vendet më të shenjta të besimit katolik në vend. Mijëra besimtarë ndezën qirinj, u lutën dhe kaluan natën e fundit pranë kishës, në pritje të festës së madhe më 13 qershor, që i kushtohet shenjtorit Shën Andoni.

Pelegrinazhi kulmoi në mbrëmjen e 12 qershorit, ku siç raportoi gazetari Elvis Hila nga Lezha, besimtarë të të gjitha besimeve qëndruan në ambientet e kishës në një atmosferë përkushtimi dhe lutjeje. “Të krishterë dhe myslimanë besojnë se Kisha e Shna Ndout është vend mrekullie, ndaj dhe kthehen çdo vit me besim dhe shpresë në këtë vend të shenjtë,” tha Hila.

Arqipeshkvi i Arqidioqezës Metropolitane Tiranë–Durrës, Imzot Arjan Dodaj, e cilësoi këtë festë si një ditë të veçantë shpirtërore. “Në këtë natë të madhe jemi më pranë Zotit. Nëpërmjet këtij shenjti marrim mirësi për veten dhe familjen tonë,” u shpreh ai.

Kisha e Shna Ndout, e ndodhur në lindje të qytetit të Laçit, ka një histori të gjatë që daton në vitin 1557. Ajo u shkatërrua gjatë periudhës komuniste në vitin 1967, por u rindërtua pas viteve ’90 dhe u kthye menjëherë në një vend pelegrinazhi dhe lutjeje për mijëra besimtarë.

Rituali i pelegrinazhit nis çdo vit në mesin e muajit mars, me të martën e parë dhe përfundon më 13 qershor – dita e shenjtë e Shna Ndout. Sipas besimit katolik, ky është një vend ku lutjet marrin fuqi të veçantë dhe besohet në ndërhyrjet hyjnore përmes këtij shenjti.

Për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë pelegrinazhit, autoritetet angazhuan forca të shumta policie si dhe ekipe të ndihmës së shpejtë mjekësore, duke siguruar një mbarëvajtje pa incidente të një prej ngjarjeve më të rëndësishme të jetës shpirtërore në vend.

Lajmi nga: Armand Xhelili
Armand Xhelili

Armand Xhelili

Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.

Komente

-