Mbyllet Jubileu i Shpresës, Papa Leone XIV përmbyll Vitin e Shenjtë në Bazilikën e Shën Pjetrit

Mbyllet Jubileu i Shpresës, Papa Leone XIV përmbyll Vitin e Shenjtë në Bazilikën e Shën Pjetrit

Ka përfunduar zyrtarisht Jubileu i Shpresës me mbylljen e Portës së Shenjtë në Bazilikën e Shën Pjetrit, duke shënuar përmbylljen e Vitit Jubilar që nisi në fund të vitit 2024. Ky jubile hyn në histori si i pari që u zhvillua nën drejtimin e dy papëve.

Riti përmbyllës u udhëhoq nga Papa Leone XIV, i cili mbylli Portën e Shenjtë përpara kremtimit të meshës së Epifanisë. Ky akt simbolik shënoi momentin e fundit liturgjik të Jubileut. Pas ceremonisë, në orën 12:00, Ati i Shenjtë drejtoi lutjen tradicionale të Engjëllit (Angelus).

Pak minuta përpara mbylljes së Portës, Papa Leone XIV recitoi lutjen e falënderimit për Vitin e Shenjtë, sipas formulës së parashikuar nga riti, duke theksuar se mbyllja e Portës së Shenjtë nuk nënkupton mbylljen e mëshirës hyjnore. Më pas, ai iu afrua Portës, u gjunjëzua për një moment lutjeje në heshtje dhe mbylli dy kanatet prej bronzi.

Sipas protokollit liturgjik, mbyllja e plotë me muraturë e Portës së Shenjtë do të kryhet rreth dhjetë ditë më vonë, në një ceremoni private të drejtuar nga Zyra e Kremtimeve Liturgjike.

Në ceremoninë solemne ishin të pranishëm Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, si përfaqësues i delegacionit zyrtar të Italisë, si edhe kryebashkiaku i Romës, Roberto Gualtieri. Pavarësisht kushteve të pafavorshme atmosferike, mijëra besimtarë u mblodhën në Sheshin e Shën Pjetrit për të ndjekur nga afër këtë moment historik.

Jubileu i Shpresës ishte inauguruar më 25 dhjetor 2024 nga Papa Françesku dhe u zhvillua si një periudhë reflektimi, lutjeje dhe shprese për besimtarët në mbarë botën, duke u mbyllur me një akt simbolik që thekson vazhdimësinë shpirtërore të Kishës Katolike.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-