Saranda këtë qershor pulson nga gjallëria dhe jeta që sjellin pushuesit. Nga orët e paradites e deri në mbrëmje, qyteti është i mbushur me vizitorë që shijojnë detin, shetitoren dhe atmosferën e veçantë që ofron qyteti bregdetar.
Plazhet publike përgjatë shëtitores vazhdojnë të jenë pa pagesë, duke i kthyer ato në destinacionin kryesor të gjithë atyre që zgjedhin Sarandën për pushime. Ujërat e kristalta dhe rëra e pastër tërheqin çdo ditë dhjetëra vizitorë – nga fëmijët që lozin në ujë, tek të rinjtë dhe të moshuarit që kërkojnë qetësi.
Por mbrëmjet janë kulmi i atmosferës. Rrugët dhe sidomos shëtitorja buzë detit mbushen me zëra, tinguj dhe ngjyra nga të gjitha anët e botës. Kamarierë me menu në duar, artistë të rrugës, tatuazhe në çast, grupi rom që këndon dhe vallëzon nën ritmet e detit – të gjithë bashkë formojnë mozaikun e paharrueshëm të një nate verore në Sarandë.
Në skenën e artit rrugor dhe kulturës:
Fizarmonika e Vasil Çukuas shoqëron shëtitësit me melodi të njohura.
Në kuadër të “Dea Open Air” vijojnë netët e kinemasë, ku këtë herë nderohet aktori Karafil Shena.
Italiani Marko ofron kujtime me video personale me dron për vetëm 10 euro.
Rifat Çeliku realizon portrete të gjalla me laps në pak minuta.
Eliseo Çepani, një artist i ri sarandiot, prezanton peizazhe dhe kostume tradicionale të pikturuara si suvenire.
Drito punon në sy të turistëve me pirografi.
Çifti Anika dhe Dritan Onjea ofrojnë zbukurime nga guaska, të personalizuara në çast.
Agjencitë e skafeve tërheqin turistët për udhëtime në detin Jon.
Liri Proko, 76 vjeç, sjell punime unike të bëra me grep, plot dashuri dhe mjeshtëri.
Dhe sigurisht, akullorja e famshme “Ice-Roll” – mbi 300 porosi në ditë në qershor!
Saranda nuk është vetëm një destinacion pushimi, por një përvojë e gjallë që përfshin artin, kulturën, gastronominë dhe mikpritjen. Dhe me afrimin e korrikut, gjithçka pritet të bëhet edhe më intensive.
Ndiqni Blu TV për reportazhe të përditshme nga zemra e bregdetit shqiptar!
Komente