Mbledhje me tensione në Vlorë - Rama kritikon ashpër drejtuesit lokalë

Mbledhje me tensione në Vlorë - Rama kritikon ashpër drejtuesit lokalë

Vlorë, 3 korrik 2025 – Kryeministri Edi Rama zhvilloi një mbledhje me dyer të mbyllura në ambientet e Bashkisë së Vlorës, e cila, sipas burimeve, u karakterizua nga tensione, përplasje verbale dhe kritika të ashpra ndaj zyrtarëve lokalë.

Burimet bëjnë me dije se kryeministri ka qenë veçanërisht i pakënaqur me performancën e administratës bashkiake në përgjithësi.

Menaxhimi i dobët i sezonit turistik në qendër të kritikave
Shkaku kryesor i pakënaqësisë së Ramës ka qenë menaxhimi i sezonit turistik, mungesa e ujit të pijshëm dhe ankesat e qytetarëve për problemet e shërbimeve publike. Ai ka kërkuar përgjegjësi të menjëhershme dhe dorëheqjen e disa drejtuesve të institucioneve në qytet.

“Ka dështim në menaxhimin e shërbimeve bazë. Kjo është e papranueshme për një qytet turistik si Vlora,” është cituar të ketë thënë Rama gjatë mbledhjes.

Kërkesë për dorëheqje të zyrtarëve dhe kritikë ndaj deputetëve të qarkut
Mësohet gjithashtu se Rama ka kërkuar dorëheqjen e pjesës më të madhe të administratës së Bashkisë së Vlorës, përfshirë nënkryetarët e bashkisë, duke i cilësuar si joefektivë dhe të shkëputur nga problemet reale të qytetarëve.

Edhe deputetët e qarkut të Vlorës nuk kanë shpëtuar nga kritikat. Kryeministri është shprehur i zhgënjyer nga performanca e tyre dhe mungesa e angazhimit në terren.

Në disa momente të mbledhjes, Rama ka përdorur tone të larta, duke e bërë takimin të tensionuar dhe përballës, me shumë prej të pranishmëve që mbetën pa fjalë përballë reagimeve të tij të drejtpërdrejta.

BluTV do të vijojë të ndjekë nga afër zhvillimet në Vlorë dhe pasojat e mundshme të këtij takimi në nivel lokal dhe qendror.

Lajmi nga: Armand Xhelili
Armand Xhelili

Armand Xhelili

Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.

Komente

-