Sezoni veror në Shqipëri ka hyrë në fazën më të ngarkuar të vitit, me një fluks të madh turistësh nga Kosova. Vetëm gjatë dy javëve të para të korrikut, mbi 300 mijë qytetarë nga Kosova kanë hyrë në Shqipëri, kryesisht për të shijuar bregdetin shqiptar, një rritje e dukshme krahasuar me vitet e kaluara.
Të dhënat zyrtare tregojnë se nga data 1 deri më 15 korrik, 328,143 qytetarë dhe 98,347 automjete kanë kaluar në Shqipëri përmes pikës kufitare të Morinës, ndërsa nga Shqipëria kanë dalë 367,235 qytetarë dhe 122,471 mjete. Ky fluks i lartë i kalimeve tregon jo vetëm për numrin e lartë të turistëve, por edhe për emigrantët që kthehen për pushime në vendlindje dhe më pas kalojnë për disa ditë në Shqipëri për relaks.
Në kufirin e Vërmicës, situata është e ngjashme, me një fluks të madh automjetesh që vazhdon gjatë gjithë ditës. Megjithatë, këtë vit është vënë re një menaxhim më i mirë i trafikut dhe procedura më të shpejta kufitare, falë shtimit të sporteleve dhe lehtësirave për kalimin e kufirit.
Përmirësime në shërbime dhe pastrtësi
Shumica e pushuesve nga Kosova janë të kënaqur me eksperiencën e tyre në bregdetin shqiptar. Ata vlerësojnë pastrimin e plazheve dhe çmimet e përballueshme krahasuar me vitin e kaluar. "Ka më shumë pastërti dhe rend këtë vit, sidomos në plazhet publike. Edhe çmimet nuk janë aq të kripura si vitin e kaluar," thotë një pushues nga Prishtina që po kalon pushimet në Dhërmi.
Megjithatë, disa pushues kanë sugjeruar përmirësime në mikpritje dhe shërbime, duke theksuar se standardet e shërbimit duhet të jenë më të larta për t'u përputhur me potencialin turistik të Shqipërisë.
Në përgjithësi, Shqipëria vazhdon të jetë një destinacion popullor për turistët nga Kosova, dhe ky sezon veror duket se do të jetë një nga më të suksesshmit për turizmin në vend.
Dea Hasanaj është Drejtore e Burimeve Njerëzore, Administratës dhe Programacionit në Blu TV. Me formim juridik, ajo koordinon funksionimin organizativ të televizionit, menaxhon stafin dhe siguron zbatimin e standardeve editoriale.
Përveç detyrës drejtuese, Dea është edhe autore dhe shkrimtare opinioni, e njohur për analizat e saj mbi çështje sociale, kulturore dhe mediatike.
Ajo përfaqëson institucionin pranë palëve të treta, dhe kujdeset për ecurinë e bashkëpunimit të brendshëm.
Roli i saj është thelbësor për funksionimin efikas dhe identitetin editorial të Blu TV
Komente