Autoritetet shëndetësore në Gaza raportojnë se 11 persona të tjerë kanë humbur jetën nga uria, duke e çuar në 212 numrin total të viktimave nga kequshqyerja, përfshirë 98 fëmijë. Situata humanitare vijon të përkeqësohet, ndërsa sulmet e ushtrisë izraelite gjatë 24 orëve të fundit kanë shkaktuar të paktën 38 të vrarë dhe 491 të plagosur.
Banorëve u është kërkuar të evakuohen nga qyteti i Gazës deri më 7 tetor 2025, në kuadër të planit të ri të qeverisë izraelite për të marrë kontrollin e plotë të zonës. Sipas këtij plani, i cili pritet të nisë pas një periudhe dy mujore, operacioni ushtarak do të përkojë me dyvjetorin e nisjes së luftës dhe do të synojë pushtimin e qytetit, duke detyruar shpërnguljen e rreth 1 milion banorëve drejt jugut.
Plani është kritikuar nga një sërë liderësh botërorë dhe ka nxitur debate të forta edhe brenda vetë Izraelit, ku zyrtarë ushtarakë dhe familjarë të pengjeve kanë shprehur shqetësim për sigurinë e tyre. Nga ana e saj, qeveria izraelite ka deklaruar se vendosmëria për ta zbatuar këtë operacion mbetet e pandryshuar.
Komente