Mbi 100 Organizata Kërkojnë Masa Urgjente për të Ndaluar Urinë në Gaza

Mbi 100 Organizata Kërkojnë Masa Urgjente për të Ndaluar Urinë në Gaza

Mbi 100 organizata humanitare dhe të të drejtave të njeriut kanë bërë thirrje për masa urgjente për të ndaluar përhapjen e urisë në Gaza, duke kërkuar një armëpushim të menjëhershëm dhe heqjen e të gjitha pengesave për shpërndarjen e ndihmave humanitare.

Deklarata e nënshkruar nga 111 organizata, përfshirë Mercy Corps, Këshillin Norvegjez për Refugjatët dhe Refugees International, thekson se uria po përhapet me shpejtësi të madhe, ndërkohë që ndihmat jetike, si ushqimi, uji dhe barnat, qëndrojnë të pashpërndara pranë kufirit. Sipas organizatave, këto ndihma nuk mund të shpërndahen për shkak të pengesave të vendosura nga rrethimi i Qeverisë izraelite.

Në reagim thuhet se punonjësit e ndihmave po bashkohen me banorët e Gazës në radhët për ushqim, duke rrezikuar të qëllohen nga ushtarët izraelitë, ndërkohë që furnizimet janë mbaruar plotësisht. "Derisa rrethimi po i lë të uritur banorët e Gazës, organizatat humanitare janë dëshmitare të rraskapitjes dhe vdekjes para syve të tyre," thuhet në deklaratën e organizatave.

Për më tepër, këto organizata kërkojnë që qeveritë të veprojnë menjëherë për të hequr pengesat burokratike dhe administrative që bllokojnë shpërndarjen e ndihmave, të hapen të gjitha kalimet tokësore dhe të sigurohet që ndihmat të arrijnë te të gjithë njerëzit në nevojë, pa pengesa. Ato kërkojnë gjithashtu ndalimin e transferimit të armëve dhe municionit dhe një ndihmë humanitare të udhëhequr nga OKB-ja.

Izraeli ka mohuar përgjegjësinë për mungesën e ushqimit, ndërkohë që mbi 800 persona janë vrarë gjatë javëve të fundit duke përpjekur të sigurojnë ushqim, shumica e tyre nga të shtënat masive të ushtarëve izraelitë pranë qendrave të shpërndarjes së ndihmave. Fondacioni Humanitar në Gaza, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, është kritikuar ashpër nga organizatat humanitare për mungesë të neutralitetit në shpërndarjen e ndihmave.

Sipas autoriteteve në Gaza, Izraeli ka vrarë afro 60,000 palestinezë në këtë enklavë, duke theksuar urgjencën e një ndërhyrjeje të menjëhershme nga komuniteti ndërkombëtar.

Lajmi nga: Vjola Murati
Vjola Murati

Vjola Murati

Vjola Murati është spikere dhe gazetare në Blu Televizion, me një formim akademik në Shkenca Sociale dhe Komunikim nga Universiteti i Tiranës. Ajo sjell në ekran profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përkushtim ndaj realitetit të komunitetit vendas.

Komente

-