Sot, më 24 qershor 2025, në të gjitha qendrat e Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar Vlorë–Himarë, është zhvilluar provimi i fundit i Maturës Shtetërore – ai i lëndëve me zgjedhje.
Provimi nisi në orën 10:00 dhe përfundoi në orën 12:30, me pjesëmarrjen e 1121 maturantëve, të shpërndarë në 6 qendra provimi. Për garantimin e një procesi korrekt dhe të sigurt, janë angazhuar:
129 administratorë provimi
6 përgjegjës administrimi
Për nxënësit me aftësi të kufizuara janë vendosur pranë tyre mësues ndihmës, në përputhje me të drejtën për arsim të barabartë dhe udhëzimet përkatëse.
Procesi është ndjekur nga përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, për të siguruar zbatimin e rregullores dhe standardeve kombëtare të Maturës. Ndërkohë, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, Shërbimin Shëndetësor dhe OSHEE, është krijuar një ambient i qetë dhe funksional në të gjitha qendrat e zhvillimit të provimit.
Ky provim shënon edhe përmbylljen zyrtare të Maturës Shtetërore për maturantët e vitit 2025.
Efrosina Papa, gazetare me një karrierë 26-vjeçare në median e Vlorës, është një zë i dalluar i informimit lokal, që ka ndërtuar me përkushtim urën mes qytetarëve dhe ngjarjeve të ditës. Ajo është e njohur për pasqyrimin e drejtë dhe të ndershëm të realitetit, me vëmendje të veçantë ndaj historive njerëzore dhe figurave punëtore të komunitetit.
Komente