Të paktën 51 palestinezë janë vrarë dhe mbi 200 të tjerë janë plagosur pasi forcat izraelite hapën zjarr pranë një pike shpërndarjeje ndihmash në Khan Younis të Gazës jugore, sipas dëshmitarëve dhe ekipeve të shpëtimit.
Agjencia e mbrojtjes civile e drejtuar nga Hamasi bëri me dije se trupat izraelite qëlluan mbi turmat që prisnin ndihma, kryesisht miell, pranë një pike shpërndarjeje të Programit Botëror të Ushqimit (WFP), ku ndodhej edhe një kuzhinë komunitare.
Dëshmitarët thanë se dy raketa u lëshuan nga dronë izraelitë, të ndjekura nga një predhë tanku, rreth 400-500 metra larg turmës. Zona përreth kryqëzimit që të çon në Bani Suheila ka qenë objekt i operacioneve intensive ushtarake izraelite prej javësh.
Spitali “Nasser”, i vetmi funksional në zonë, është tejmbushur me të plagosur, ku shumë pacientë janë shtrirë në dysheme për shkak të mungesës së shtretërve dhe pajisjeve mjekësore.
Ushtria izraelite (IDF) ka deklaruar për BBC se është duke hetuar incidentin. Në deklaratën e saj thuhet: “Është identifikuar një turmë pranë një kamioni ndihmash që kishte mbetur në zonën e Khan Younisit, afër trupave të IDF që po operonin aty. Jemi në dijeni të raportimeve për persona të plagosur pas ndërhyrjes sonë dhe po shqyrtojmë rastin.”
Ngjarja e sotme është ndër më të përgjakshmet e ndodhura së fundmi në vendet e ndihmave në Gaza, ku sulmet ndaj civilëve që presin ushqim janë bërë thuajse të përditshme.
Komisioneri i Lartë për të Drejtat e Njeriut në OKB, Volker Turk, akuzoi Izraelin për “armatosjen e ushqimit” dhe kërkoi hetim të plotë për sulmet ndaj civilëve në pikat e ndihmave. Ai theksoi: “Mjetet dhe mënyrat e luftës së Izraelit po shkaktojnë vuajtje të tmerrshme dhe të papranueshme për palestinezët në Gaza.”
Komente