Fauja Singh, maratonisti më i vjetër në botë, i cili vazhdoi të garonte pas moshës 100 vjeçare, ka ndërruar jetë në moshën 114 vjeçare pas një goditjeje nga një automjet që shpërfilli semaforin, njoftuan autoritetet indiane.
Singh, i njohur si “Tornado me Turban” e filloi karrierën e tij në maratonë pas moshës 89 vjeçare duke arritur të përfundonte nëntë gara maratonash prej 42.195 km. Pavarësisht se ai ishte i njohur si maratonisti më i vjetër në botë ai nuk ka mundur të marrë një rekord të Guinessit për shkak të mungesës së një certifikate lindjeje.
Ngjarja tragjike ndodhi në një rrugë pranë fshatit të tij, Beas në shtetin indian të Punjab. Singh u dërgua menjëherë në spitalin Shrimann në distriktin Jalandhar ku fatkeqësisht nuk mundi të mbijetonte nga plagët e marra përfshirë ato në kokë dhe brinjë.
Policia indianë tha se një automjet i panjohur goditi Singh-n dhe pas hetimeve dhe kontrollit të kamerave të sigurisë, u arrestua një i dyshuar. Ai është një burrë 26-vjeçar që jeton jashtë shtetit dhe familja e tij është informuar.
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, nderoi Singh-n duke e cilësuar atë një "atlet të jashtëzakonshëm me një vendosmëri të pabesueshme."
Fauja Singh e nisi të vraponte pas vdekjes së gruas dhe djalit të tij dhe gjeti ngushëllim dhe jetë të re përmes maratonave. Ai ka thënë në intervista se vrapimi e ndihmoi të harrojë traumat dhe dhimbjet që kishte përjetuar.
Gara e tij e parë ishte pas vetëm disa muajsh stërvitje dhe ai arriti rekordin e tij personal në Maratonën e Toronto Waterfront në vitin 2003 me një kohë prej 5 orësh e 40 minutash.
Maratonisti i njohur ka përfunduar një garë maratonë në Toronto në vitin 2011 duke u bërë maratonisti i parë në botë mbi 100 vjeç që e përfundoi atë në 8 orë, 11 minuta dhe 6 sekonda.
Përkundër suksesit të tij, rekordet e tij nuk u pranua nga autoritetet e Guinessit për shkak të mungesës së certifikatës së lindjes. Ai ka marrë gjithashtu një letër urimi nga Mbretëresha Elizabeth për ditëlindjen e tij të 100-të.
“Unë jam shumë i dashuruar me këpucët e mia të vrapimit, i dua ato pa masë. Nuk mund ta imagjinoj jetën time pa to,” ka thënë ai në një intervistë në moshën 102 vjeçare.
Komente