Deri në fund të vitit pritet të nisë transporti i derivateve të naftës nga Selaniku drejt Shkupit përmes tubacionit të ndërtuar dy dekada më parë. Shërbimi do të kushtojë rreth 20 euro për ton karburant të përpunuar, ku 20 për qind do të shkojë për Maqedoninë e Veriut dhe pjesa tjetër për kompaninë greke “Hellenic Petroleum”, e njohur sot si HELLENiQ Energy.
Kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski ka mohuar se rifunksionalizimi i tubacionit lidhet me krizën e naftës në Serbi, duke theksuar se Qeveria po kryen vetëm detyrimet ligjore e teknike për vënien në punë të sistemit. Ai konfirmoi se inspektimet kanë përfunduar dhe se së shpejti pritet të kryhen provat me presion, ndërsa çmimorja është aprovuar tashmë në Qeveri. Leja për përdorim do të finalizojë nisjen e transportit.
Ky tubacion, i ndërtuar në vitin 2002 si pjesë e kontratës së vitit 1999 për blerjen e rafinerisë OKTA nga “Hellenic Petroleum”, ka qenë jashtë funksionit që prej vitit 2013, kur kompania greke e nxori jofitimprurës dhe e ndaloi transportin. Tubacioni ka një gjatësi prej 213 kilometrash dhe kapacitet prej 2.5 milionë tonësh në vit, duke bërë transportin më të lirë dhe më të sigurt se ai me cisterna.
Sipas marrëveshjes, të ardhurat nga transporti ndahen mes ndërmarrjes shtetërore “Naftovod”, që zotëron 20 për qind të aksioneve në kompaninë e përbashkët “Vardaks”, dhe kompanisë greke, që mban 80 për qind të aksioneve. Nëse punon me kapacitet të plotë, shërbimi mund të gjenerojë deri në 50 milionë euro në vit.
Ky proces nuk ka kaluar pa polemika politike. VMRO–Partia Popullore ka akuzuar Qeverinë se po nxit rifunksionimin e tubacionit për t i ardhur në ndihmë Serbisë, ndërsa Mickoski ka mohuar çdo lidhje, duke thënë se furnizimi është çështje biznesi privat, jo e shtetit. Ekziston edhe një histori e gjatë konfliktet ligjore: tre procese arbitrazhi në Paris kanë përfunduar kryesisht në favor të “Hellenic Petroleum”, me Maqedoninë që është detyruar të paguajë mbi 21 milionë euro.
Ekspertët e energjisë theksojnë se vënia në funksion e tubacionit sjell përfitime të konsiderueshme ekonomike dhe teknike, sidomos në raport me kostot e transportit hekurudhor ose rrugor. Tubacioni konsiderohet një investim strategjik prej 100 milionë dollarësh, i cili, sipas ish-drejtorit të “Naftovod”, Esad Rahiq, duhej aktivizuar shumë më herët për të shmangur penalitetet e akumuluara nga proceset gjyqësore.
Komente