Manastirliu: Synojmë ta kthejmë Shqipërinë në një destinacion akademik në rajon

Manastirliu: Synojmë ta kthejmë Shqipërinë në një destinacion akademik në rajon

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, gjatë pjesëmarrjes në forumin e Ligës së Arsimit të Lartë “Gjon Durrahium”, deklaroi se vizioni i Qeverisë është që Shqipëria të shndërrohet në një destinacion akademik konkurrues, jo vetëm në rajon por edhe më gjerë.

“Universitetet po ecin drejt ndërkombëtarizimit dhe profilizimit, me ritme të shpejta, ndërsa bashkëpunimi mes universiteteve publike dhe jopublike po ngre standardet e arsimit të lartë në vend”, theksoi Manastirliu. Ajo përmendi disa shembuj konkretë si hapja e kampusit të Kolegjit të Evropës në Tiranë, Universiteti i Studimeve në Distancë nga Spanja në Gjirokastër dhe planet për kampusin e Universitetit Compiegne të Francës në Universitetin Politeknik të Tiranës.

Ministrja u ndal gjithashtu te mbështetja për kërkimin shkencor, duke theksuar se janë financuar mbi 180 projekte gjatë këtij viti, ndërsa janë përthithur 50 projekte nga universitetet jopublike në periudhën 2023–2025.

“Po ndërtojmë një sistem që mbështet institucionet kërkimore, laboratorët dhe qendrat e ekselencës, përmes Ligjit të Shkencës dhe Kërkimit Shkencor. Objektivi ynë është të rrisim bashkëpunimin akademik dhe të përfitojmë më shumë nga projektet evropiane,” u shpreh ministrja.

Sipas Manastirliut, Shqipëria ka potencialin për t’u kthyer në një qendër akademike të rajonit falë burimeve njerëzore cilësore dhe angazhimit për të përmbushur standardet më të mira evropiane në arsimin e lartë.

Lajmi nga: Vjola Murati
Vjola Murati

Vjola Murati

Vjola Murati është spikere dhe gazetare në Blu Televizion, me një formim akademik në Shkenca Sociale dhe Komunikim nga Universiteti i Tiranës. Ajo sjell në ekran profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përkushtim ndaj realitetit të komunitetit vendas.

Komente

-