Ardenicë, maj 2025 – Në kodrat e bukura të Ardenicës, një ndërtesë mesjetare me vlera të rralla historike vazhdon të jetë një nga destinacionet më të frekuentuara nga turistët vendas dhe të huaj gjatë gjithë vitit. Manastiri i Ardenicës dhe kisha brenda tij tërheqin çdo ditë vizitorë të apasionuar pas historisë, artit dhe arkitekturës së lashtë.
Prej vitesh, kjo perlë e trashëgimisë shqiptare është pjesë e itinerareve të agjencive turistike, të cilat e përfshijnë në ndalesat kryesore të tureve të tyre kulturore. Vizitorët zgjedhin ta eksplorojnë manastirin në grupe të mëdha apo në mënyrë familjare, ndërsa shumë prej tyre shprehen se rikthehen sërish, duke sjellë edhe miq të rinj në përvojën e tyre shqiptare.
Një turist amerikan nga Kolorado, i cili prej katër ditësh ndodhet në Shqipëri, shprehet entuziast për vendin tonë:
“Vendi është shumë i bukur, koha është e mirë, kam parë disa qytete dhe të gjitha më kanë pëlqyer. Manastiri ka një histori të veçantë dhe më ka bërë shumë përshtypje mikpritja e njerëzve dhe fakti që shumë prej tyre flasin anglisht.”
Nga Holanda, Tomasi ndalet në Shqipëri pas një turi në Tiranë, ku vizitoi edhe Bunk’Art-in dhe malin e Dajtit me teleferik.
“Vendi juaj ka një histori interesante, nuk e kisha vizituar më parë, por më ka befasuar për mirë.”
Sipas guidës turistike Bledar Ahmatos, prurjet e këtij sezoni janë rritur ndjeshëm, ndërsa prenotimet kanë nisur prej muajsh.
Turistë nga Italia, Spanja, Polonia dhe Shtetet e Bashkuara kanë shfaqur interes të lartë për turizmin historik, duke zgjedhur gjithnjë e më tepër vende si Ardenica për të pasuruar përvojën e tyre kulturore.
Manastiri i Ardenicës, i ndërtuar në vitin 1282, është një monument i rëndësishëm i trashëgimisë sonë. Vëmendja historike ndaj tij është shtuar sidomos për faktin se pikërisht në këtë kishë është martuar më 1451 heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, me Andronika Arianitin.
Ky fakt e kthen manastirin jo vetëm në një destinacion turistik, por edhe në një pikë kyçe të kujtesës historike të kombit.
Vjola Murati është spikere dhe gazetare në Blu Televizion, me një formim akademik në Shkenca Sociale dhe Komunikim nga Universiteti i Tiranës. Ajo sjell në ekran profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përkushtim ndaj realitetit të komunitetit vendas.
Komente