Mallakastër  – Falënderim për Forcat e Angazhuara në Operacionin e Shuarjes së Zjarrit

Mallakastër – Falënderim për Forcat e Angazhuara në Operacionin e Shuarjes së Zjarrit

Pas përfundimit me sukses të operacionit për neutralizimin e vatrave të zjarrit në kodrat e Drenovës, Gorishovës dhe Belishovës drejtori i emergjencës civile pranë Bashkisë Mallakastër, Hajri Malaj ka zhvilluar një takim falënderues me të gjitha forcat që morën pjesë në këtë aksion intensiv.

Në këtë takim, Malaj u shpreh mirënjohjen e tij për përkushtimin dhe angazhimin e jashtëzakonshëm të dhjetëra efektivëve të shërbimit zjarrfikës, policisë bashkiake, forcave të ushtrisë dhe punonjësve të tjerë të përfshirë në operacionin e shuarjes së zjarreve. “Ju falënderoj për përkushtimin, bashkëpunimin dhe gatishmërinë që treguat për të mbrojtur jetën, pronën dhe natyrën. Pa përpjekjen tuaj të jashtëzakonshme, ky operacion nuk do të ishte i mundur.” theksoi Malaj.

Operacioni për shuarjen e zjarreve në këto zona ka qenë një ndër më të vështirët e këtij sezoni për shkak të terrenit të thyer dhe kushteve të vështira të motit por falë ndërhyrjes së koordinuar dhe vendosmërisë së forcave në terren, flakët janë neutralizuar pa rrezikuar banesa, puse nafte apo jetë njerëzish. Ky operacion ka treguar rëndësinë e bashkëpunimit dhe gatishmërisë për të reaguar me shpejtësi dhe efikasitet ndaj këtyre emergjencave natyrore duke u bërë një shembull i përpjekjes kolektive për mbrojtjen e jetës dhe pasurisë publike.

Përfundimi me sukses i operacionit ka sjellë një frymë të re besimi dhe solidariteti duke nënvizuar angazhimin e shtetit dhe forcave të sigurisë për të siguruar mbrojtjen e mjedisit dhe të jetës njerëzore gjatë periudave të emergjencave të mëdha.

Lajmi nga: Marsela Topi
Marsela Topi

Marsela Topi

E diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Bukuresht, në vitet 1998–2003, Marsela Topi ka ndërtuar një karrierë të gjatë dhe të qëndrueshme në fushën e medias, duke kontribuar në radio, televizione lokale dhe qendrore.
Me një përkushtim të vazhdueshëm ndaj informimit të saktë dhe profesional, ajo njihet për stilin e saj të matur, korrekt dhe të ndërtuar mbi parimin e objektivitetit gazetaresk.
Përvoja e saj shumëvjeçare është pasqyruar në mbulimin e ngjarjeve me rëndësi dhe në trajtimin e temave me ndjeshmëri publike, duke ruajtur gjithmonë integritetin dhe besueshmërinë si gazetare.

Komente

-