Makina bie në përroin e Klosit, shoferi largohet duke lënë pasagjerin brenda – RENEA në kërkim

Makina bie në përroin e Klosit, shoferi largohet duke lënë pasagjerin brenda – RENEA në kërkim

Një ngjarje e rëndë është regjistruar pas mesnatës në fshatin Dars, në bashkinë Klos, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka rënë në përroin e zonës, ndërsa drejtuesi i mjetit është larguar nga vendngjarja pa njoftuar Policinë dhe pa i dhënë ndihmë pasagjerit që ndodhej me të në automjet.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, rreth orës 01:30 është marrë informacion se në vendin e quajtur “Ura e fshatit Dars”, një automjet tip “Audi” me targa angleze ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në përroin e fshatit. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit.

Nga veprimet hetimore është identifikuar drejtuesi i automjetit, shtetasi A. L., 24 vjeç, banues në fshatin Fullqet, Klos. Nga verifikimet paraprake dyshohet se në automjet ndodhej edhe një pasagjer, shtetasi J. K., 30 vjeç, gjithashtu banues në Fullqet, i cili dyshohet se është marrë nga rrjedha e përroit pas aksidentit.

Gjatë veprimeve për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, shërbimet e Policisë bënë të mundur kapjen dhe arrestimin e drejtuesit të mjetit, i cili dyshohet se është larguar nga vendngjarja menjëherë pas aksidentit. Ai iu nënshtrua testit të alkoolit, nga i cili rezultoi se po e drejtonte automjetin në gjendje të dehur.

Ndërkohë, polumbarët e RENEA, shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit vijojnë kërkimet intensive përgjatë përroit të fshatit Dars, me qëllim gjetjen e pasagjerit 30-vjeçar.

Materialet procedurale lidhur me këtë ngjarje i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.

Lajmi nga: Elton Nika
Elton Nika

Elton Nika

Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.

Komente

-