Presidenti francez Emmanuel Macron mbërriti të dielën në Groenlandë, ku shprehu mbështetjen e Francës dhe Bashkimit Europian për sovranitetin dhe integritetin territorial të këtij territori autonom danez. Vizita vjen në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump ka rihapur idenë e aneksimit të ishullit strategjik, duke shkaktuar reagime të forta nga Kopenhageni dhe Nuuk.
“Është e rëndësishme të tregojmë se Danimarka dhe Europa janë të angazhuara për këtë territor me rëndësi të lartë strategjike,” u shpreh Macron nga kryeqyteti Nuuk.
Ai u prit nga kryeministrja daneze Mette Frederiksen dhe homologu grenlandez Jens-Frederik Nielsen, si dhe nga dhjetëra banorë me flamuj kuq e bardhë të territorit.
Macron zhvilloi takime me drejtuesit lokalë në një fregatë daneze dhe më pas vizitoi një akullnajë për të parë nga afër efektet e ngrohjes globale. Vizita në një hidrocentral u anulua në momentet e fundit.
Ndryshe nga vizita provokuese e zëvendëspresidentit amerikan JD Vance në mars, e cila u kritikua nga autoritetet daneze dhe grenlandeze, vizita e Macron u kërkua nga vetë këto autoritete si një sinjal mbështetjeje ndaj qëndrimit “Grenlanda nuk është në shitje.”
Macron pritet të diskutojë gjithashtu për sigurinë në Arktik dhe përfshirjen e territorit në iniciativat europiane për zhvillim të qëndrueshëm, në përputhje me sovranitetin e tij.
Vjola Murati është spikere dhe gazetare në Blu Televizion, me një formim akademik në Shkenca Sociale dhe Komunikim nga Universiteti i Tiranës. Ajo sjell në ekran profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përkushtim ndaj realitetit të komunitetit vendas.
Komente