“Lulja e Krishtlindjeve” e dashur në festa, por e rrezikshme për kafshët shtëpiake

“Lulja e Krishtlindjeve” e dashur në festa, por e rrezikshme për kafshët shtëpiake

Raftet e supermarketeve dhe dyqanet e luleve janë të mbushura me “Euphorbia pulcherrima”, të njohur gjerësisht si “Lulja e Krishtlindjeve”, e cila mbetet një nga bimët më të preferuara dhe më të dhuruara gjatë festave të fundvitit. Gjethet e saj të kuqe karakteristike, që rrethojnë lulet e vogla të verdha, e bëjnë një dekorim ideal për ambientet e brendshme.

Megjithatë, kjo bimë nuk është aq miqësore për kafshët shtëpiake. Lëngu i saj me pamje qumështi përmban substanca si euforbone, alkaloide dhe triterpene, të cilat e bëjnë të rrezikshme për qentë dhe macet nëse përtypen apo gëlltiten.

Reaksionet toksike janë të zakonshme, por rrallëherë të rënda. Edhe pse nuk përbëjnë kërcënim serioz për jetën, simptomat mund të jenë shumë shqetësuese për kafshët. Ndër to përfshihen djegia e gjuhës dhe e buzëve, pështymë e tepërt, dermatit me flluska, ënjtje e fytyrës, irritim i syve dhe lotim. Në raste më të rënda mund të shfaqen të vjella, diarre dhe dridhje.

Për këtë arsye, këshillohet që “Lulja e Krishtlindjeve” të vendoset në vende të paarritshme për kafshët shtëpiake, për të shmangur çdo rrezik të panevojshëm gjatë festave.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-